Kryetarja e Këshillit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku komentoi në Intervistë me Merita Haklaj dhe propozimin e radhës nga ana e Francës për një Komuniteti Politik Europian për vendet që nuk janë anëtarë të BE.
Tabaku u shpreh se në princip nuk është kundër propozimeve të tilla, por shtoi se këto procese zëvendësuese të mos përdoren për të vonuar rrugëtimin e vendit tonë drejt familjes europiane.
“Më vjen që ky propozim erdhi në vigjilje të presidencës franceze. Më vjen shumë mirë që Ballkani Perëndimor ishte në vëmendje të presidencës franceze ndonëse shumë vende ishin skeptike. Kam qenë skeptike për të gjithë këto zëvendësuesit e procesit të integrimit. Më janë dukur si një mënyrë për të kaluar kohën. Për të thënë që procesi nuk po vjen, por shohim një mënyrë tjetër se si mund t’i mbajmë të kënaqura për pak kohë vendet e Ballkanit. Nuk ka asnjë gjë të keqe, por të mos vijë si një justifikim për një proces që nuk po përfundon. Nuk është e specifikuar apo detaje si do të avancojë. Franca propozon një komunitet politik, ku këto vende të jenë pjesë me një status të caktuar pavarësisht vendimmarrjes. Problemi është për fazat e procesit të integrimit që nuk po vijnë akoma. Në parim nuk ka asgjë të keqe”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate e cilësoi disi të padrejtë dhe mënyrën sesi iu dha statusi i vendit kandidat Ukrainës brenda 2 javësh ndonëse në luftë, ndërkohë që Shqipërisë iu desh një punë disa mujore.
“Euroskepticizmi ka disa vite që ekziston, prandaj ekzistojnë dhe këto paradhomat që unë jam skeptike për to se krijohen këto xhepat dhe mundësitë që e fusim në një proces që nuk përfundon. Unë besoj se kjo nuk i bën mirë as BE dhe as vendeve anëtare dhe rrit demotivimin tek vendet e vogla që janë në proces. Kur pashë procesin e pyetësorit, çfarë ndodhi me Ukrainën. Shqipëria tregoi një seriozitet të jashtëzakonshëm për 9 muaj, ministrja Bregu, e gjithë administrata është ngritur në këmbë. Për mua ka qenë ushtrimi më i mirë për të gjithë administratën publike. Ndërkohë që sheh Ukrainën në luftë e cila e bëri për dy javë pyetësorin. Dhe bën një krahasim dhe thua që diçka që ne e morëm me shumë mund, u kthye në një proces dy javë për Ukrainën. Nuk ka hezitim që Ukraina duhet ta merrte për të treguar që Europa është aty, por kur bën një krahasim Europa është treguar pak e padrejtë. Dje kishim vetëm retorikë politike”, deklaroi Tabaku.
/e.d