Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal prezantoi sot në Bruksel të dhënat e Balkan Barometer 2022& SecuriMeter për perceptimin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor lidhur me një sërë fushash e temash, si integrimi në BE, bashkëpunimi rajonal, dixhitalizimi, punësimi, siguria, krimi i organizuar, emigrimi, radikalizimi në internet, etj.
Në fjalën e saj të hapjes, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, theksoi se meqenëse prezantimi i këtyre të dhënave përkoi një ditë pas Samitit të BE-së për Ballkanin, dëshironte të ndalej së pari pikërisht tek zhvillimet e atij Samiti.
“Shpresoja që fjalën time për sot ta plotësoja me mesazhe inkurajuese që do të përcilleshin nga Samiti, por për fat të keq, më duhet të them se për vendet e Ballkanit Perëndimor, dje pakënaqësia u rrit në një tjetër nivel zhgënjimi. Nuk pati hapje të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për mua, për disa kolegë të tjerë në këtë sallë, që kanë shpenzuar 20 vite të jetës së tyre, praktikisht gjithë jetën profesionale duke punuar për perspektiven europiane të Ballkanit Perëndimor por edhe për të tjerë partnerë nga Komisioni Europian që punojnë ditë- natë për këtë proces apo vendet anëtare që gjithashtu kanë qenë mbështetës të fortë të zgjerimit të BE -së me Ballkanin Perëndimor, dje ishte një ditë e veshtirë, e mbushur me frustrim jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut por po aq dhe për Kosovën, pasi në konkluzionet e Samitit s’u përmend fare çështja e liberalizimit të vizave me Kosovën.”
Më tej Bregu u shpreh se për Ukrainën dhe Moldavinë dita e djeshme ishte e shënuar “Unë ndjehem vërtet mirë
që në një moment të caktuar vendimi për t’iu dhënë këtyre dy vendeve statusin e vendit kandidat u dha. U dha në një kohë kur ne sot do të flasim për ndjesi/perceptime të qytetarëve. Kur vijnë të dhënat e një vëzhgimi, një barometri gjëja e parë që përpiqesh të masësh janë ndjesitë, perceptimet e qytetarëve.
Barometrat tanë prej vitesh masin këto perceptimet, të cilat nëse do të mateshin sot, guxoj të them se do ishin shumë më ndryshe për shkak edhe të zhgënjimit që erdhi nga “JO”-ja për zgjerimin në BE të rajonit tonë. Ndaj duhet ta theksoj që ta kemi në konsideratë se ky edicion i Ballkan Barometër & Securimeter, është kryer përpara luftës në Ukrainë e sigurisht edhe përpara konluzioneve të Samitit“ – tha Bregu duke shtuar në fund se RCC do të përpiqet që disa nga pyetjet sidomos ato që lidhen me perceptimet e sfidave të sigurisë të përsëriten në vjeshtë, për të parë se si kanë ndryshuar perceptimet.
Në lidhje me të dhënat e dala nga Barometri, Bregu theksoi se rezultatet që dalin herë befasojnë, herë shërbejnë si alarm, ndërsa herë të tjera konfirmojnë se përpjekjet nuk janë të kota pasi qytetarët dhe bizneset i ndjejnë përfitimet e punës së bërë nga RCC 76% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor e shohin bashkëpunimin rajonal një qasje të shkëlqyer; 60 % mbështesin anëtarësimin në BE, një shumicë ende edhe pse vitin e kaluar ishte 62%; 74 % pranojnë se keqinformimi është një kërcënim për sigurinë për ekonomitë e tyre, ndërsa 1 në 3, përsëri dhe përsëri, e shohin korrupsionin si një kërcënim të madh për jetën e tyre; 67 % mendojnë të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Vetëm 21% kanë besim te partitë politike, ndërsa 75% jo. 66% e njerëzve e shohin si problematike ndotjen në vendbanimin e tyre dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, 43 % e bizneseve të Ballkanit Perëndimor thonë se roaming pa pagesë në rajonin tonë ka pasur një ndikim pozitiv në veprimtarinë e tyre të biznesit.
“Më lejoni ta mbyll me këtë konkluzion: Nuk mund të ketë asnjë perspektivë të BE-së (të cilën qytetarët e mbështesin në nivelin 60%) pa bashkëpunimin rajonal mbështetur nga 76% e qytetarëve. Por ka më pak shanse për të bindur linjat e ashpra në BE se ne nuk do t’i shkaktojmë probleme BE-së nëse korrupsioni dhe krimi i organizuar janë ende një shqetësim për më shumë se 80% të qytetarëve. Do të jetë e vështirë për të përmirësuar rajonin e për ta kthyer atë në një qendër të madhe investimesh, nëse 67% e të rinjve do të donin të largoheshin jashtë vendit. Mediat sociale lidhin njerëzit, por keqinformimi po bëhet një kërcënim për sigurinë kombëtare në mbarë botën. E njëjta gjë vlen edhe për ndotjen e ajrit. Njerëzit që jetojnë në qytetet e Ballkanit Perëndimor humbin deri në 1.3 vjet jetë nga ndotja e ajrit, pasi popullsia është e ekspozuar ndaj disa prej përqendrimeve më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë. Dhe së fundi: ku ka vullnet ka edhe rrugë. Ky është mësimi i nxjerrë nga “Roam Like at Home” që rajoni e filloi dhe e realizoi me sukses”, përfundoi Bregu.
Balkan Barometri është autorizuar nga RCC dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Ai zhvillohet çdo vit që nga viti 2014 nga një agjenci e pavarur mes më shumë se 6,000 qytetarëve dhe 1,200 kompanive në të gjithë rajonin. Barometri Ballkanik është vendosur fort si një burim i besueshëm i të dhënave rajonale të përdorura gjerësisht dhe të referuara nga media, biznesi, shoqëria civile dhe vendimmarrësit.
/e.d