Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar për projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës dhe thotë se do të bëhet në një zonë të mbrojtur. Tabaku ndër të tjera e ka quajtur gjithashtu projektin si korruptiv.
“Përpos shkatërrimit të natyrës dhe ekosistemit duke përdhosur një nga zonat e mbrojtura ligatinore projekti në vetvete është korruptiv”.
Tabaku ka treguar se një nga kompanitë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës është “e afërt me kryeministrin”.
“Kontrata koncesionare me vlerë 138.2 mln euro është fituar nga një konsorcium që zotërohet nga dy kompai; e para është kompania turke që ndërtoi falas spitalin e Fierit dhe kompania e dytë është e afërt me kryeministrin.
Përpos kësaj, historia e garës së këtij koncesioni me vlerë 138.2 mln euro është e mbuluar me dyshime të mëdha. Pjesemarrës në garë ka qenë një kompani britanike e cila akuzon qeverinë se ka ndryshuar kriteret e garës pak ditë përpara përfundimit të saj. Dy javë përpara perfundimit të garës.
Pikërisht pas këtyre ndryshimeve, ka hyrë në lojë konsorciumi fitues që është regjistruar në 1 mars 2021 dhe është shpallur fitues 3 ditë më pas.
Unë e dëgjoj retorikën e qeverisë që justifikon e mbron korrupsionin sepse po ndërton vepra publike, jam e sigurtë që do t’i dalë për zot Rama si i ka dalë për zot cdo afere tjetër korruptive, por unë nuk bie dot dakord me shkeljen e ligjit, nuk bie dot dakort me këtë normalizim korrupsoni, nuk bie dot dakort me këtë lehtësi të frikshme për të pranuar korrupsion si normë dhe vlerë”, tha Tabaku.