Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla thotë se pandëshkueshmëria e të korruptuarve është një mit që është rrëzuar në vitet e fundit dhe se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është forcuar dhe konsoliduar si një pushtet i pavarur.
Gjithashtu Nikolla u shpreh se shqiptarët po e shohin që sot askush nuk i shpëton drejtësisë nëse ka kryer një shkelje.
“Një prej miteve ishte mbretërimi i pandëshkueshmërisë që dukej se ishte shndërruar në një antikulturë të sistemit të drejtësisë. Sot askush nuk është mbi të drejtën dhe drejtësinë dhe askush nuk mund ti shpëtojë ndëshkimit nëse e meriton. Kjo është kaq e vërtetë sa që po ndodh në sytë e gjithë shqiptarëve. Sistemit po i zihej fryma nga monopoli i një kaste drejtuesish, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar me mbështetjen e një kaste politikanësh gjithashtu të korruptuar.
Politika e drejtësia po sundonin bashkarisht me forma despotike. Sot pavarësia reale e gjyqtarëve e prokurorëve po konsolidohet paralel me varësinë e tyre prej kushtetutës, ligjeve.
Sistemi i drejtësisë kishte arritur në atë pikë sa nuk e fshihte varësinë e vet në aspektet politike dhe financiare.
Sot fijet që e lidhin sistemin me format korruptive të mësipërme janë këputur e po këputen dita ditës. Pushteti gjyqësor po fuqizohet si një pushtet i pavarur”.
Nikolla u shpreh se pas 6 vitesh reforma ka dhënë rezultat. Sipas saj, ne kemi një realitet tjetër.
“Sot, gjashtë vjet më vonë, kemi, padyshim, një realitet tjetër. Tipari më i rëndësishëm i këtij realiteti është rrëzimi i disa miteve të sistemit dhe për sistemin e drejtësisë dhe progresi drejt një sistemi drejtësie, si një pushtet i pavarur në sistemin demokratik. Njeri prej miteve ishte mbretërimi i pandëshkueshmërisë, e cila dukej se ishte shndërruar në një antikulturë të sistemit të drejtësisë, madje të vetë sistemit politik”, tha Nikolla.
g.kosovari