Qeveritë e BE duket janë dakord që Ukraina e Moldavia të marrin statusin e vendit kandidat për në BE. Por si do dalë BE nga ngërçi i krijuar me Ballkanin Perëndimor? Eurodeputetja holandeze Sophie In’t Veld e ka një ide.
Takimi i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor që po zhvillohet të enjten (23.06) në Bruksel u parapri nga një dramë e pazakontë. Të mërkurën madje u mendua, se ai do të dështonte, për shkak të mosardhjes së disa krerëve ballkanikë. Ishte kancelari gjerman Olaf Scholz, që shprehu madje mirëkuptim për pakënaqësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Kur ngjall shpresa, kur i ke futur këto vende në një rrugë dhe kur i bind se ia vlen që të ecin në rrugën drejt BE-së, dhe ata i bëjnë të gjitha përpjekjet, rrezikojnë konflikte politike brenda vendit, madje, një vend, Maqedonia e Veriut, ndryshon edhe emrin që të mos jetë në grindje me Greqinë, atëherë është konsekuente që vendimmarrësit dhe qytetaret dhe qytetarët e tyre ta shprehin pakënaqësinë që kanë”, tha Scholz të mërkurën në Bundestag.
“Ne rrezikojmë që t’i humbasim këta njerëz”
Bashkimi Europian duhet të gjejë një zgjidhje për Ballkanin Perëndimor. Eurodeputetja liberale holandeze, Sophie In’t Veld, megjithëse e përshëndet sinjalin për Ukrainën është shprehur, se “e kuptoj dhe e ndaj zhgënjimin (e vendeve të Ballkanit). Sipas saj BE e rrit rrezikun në këtë rajon nëse e lë mënjanë Ballkanin. “Ne rrezikojmë që t’i humbasim këta njerëz, ne e shohim se Rusia dhe Kina atje e kanë një këmbë brenda dhe i ndikojnë zemrat dhe gjendjen e njerëzve.” Në BE ka shqetësim për kursin miqësor rus të Serbisë.
Prandaj eurodeputetja holandeze kërkon, ashtu si edhe Të Gjelbrit në Parlamentin Europian që BE me vendet e Ballkanit Perëndimor të dakordohet për një plan realist veprimi brenda një kohe të përcaktuar. Nuk mund të kërkosh nga këto vende, që të reformohen, dhe pastaj të votosh për anëtarësimin e tyre një brez më vonë, thotë Sophie In’t Veld.
Eurodeputetja Sophie In’t Veld është në një linjë me këtë qëndrim me ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, i cili ka kërkuar në një non-paper për BE që “të ketë një integrim me faza, pa e ndryshuar procedurën.” Që do të thotë, që vendet e Ballkanit Perëndimor që i plotësojnë kriteret në fusha të caktuara të trajtohen si vende anëtare. Kjo mund të vlejë për fushën e transportit, energjisë apo shkencës, ka thënë Schallenberg./DW/m.j