Nga Ylli Pata
Mungesa e një përgjigje të qartë të Sali Berishës në lidhje me pjesëmarrjen e LSI-së në protestën që ai ka shpallur më 7 korrik, duket se nuk është e rastësishme.
Edhe pse Sali Berisha edhe Ilir Meta, do të jenë një tandem politik në zgjedhjet e ardhshme lokale por edhe parlamentare, mes tyre nuk se ka një marëdhënie të mirë në bazë.
Pasi në fund interesat e njerëzve që angazhohen në fushatë lidhen e ndërthuren me marrëdhëniet që ndodhen në terren. Fitorja e Bardh Spahisë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në Shkodër, ishte suksesi më i rëndësishëm i “Shtëpisë së Lirisë” subjektit politik të përbashkët ndërmjet grupit të Berishës dhe LSI-së, që shërben edhe si eksperiment politik për të ardhmen.
Por ky subjekt po shfaq probleme jot ë vogla në funksionimin si një aleancë politike e ngjizur në territor.
E siç mësohet situate nuk është aspak rozë, madje vonesa e emërimit të nënkryetarit të bashkisë së Shkodrës nga ana e LSI-së, ka çuar në një marrëdhënie të ndërprerë ndërmjet dy partnerëve.
Marrëdhënie, që në pjesën tjetër të vendit thuajse nuk ekziston. Gjithçka duhet parë me manovrat që do të kryejë Ilir Meta pas daljes nga Presidenca, ku siç e ka shpallur do të luajë fort.
Ndërkaq, gjesti i zyrtarëve të lartë të LSI-së që morën pjesë në festën zyrtare të themelimit të Partisë Socialiste, nuk duket se është bërë me kokën e atyre që respektuan ftesën e selisë rozë.
Kemi të bëjmë me një gjest politik të pastër, edhe pse është një “qokë” festive. Një lëvizje që tregon se partia e Metës po mendon se si duhet ta përdorë 100 mijëshin e votave të 21 prillit 2021 në funksion të maksimilizimit të këtij kapitali.
Ofrimi i kësaj mbështetje pa kusht për Sali Berishën, do të ndodhë sin ë Shkodër, ku benefitet po i merr vetëm grupi i Voltana Ademit, i cili kishte vetëm një pjesë të barrës së fitores së 6 marsit. Pjesa tjetër, që në bashkinë Shkodër shkon në dy shifrore është një elektorat solid i LSI-së atje, që menaxhohet prej vitesh nga deputeti Agron Çela.
Një vit më pas, edhe në Shkodër sin ë 61 bashki të vendit do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e bashkisë, e nëse LSI nuk e merr pjesën e kërkuar, ka shumë gjasa që koalicioni të quhet i prishur që tani.
Konfigurimi i LSI-së si parti me vlerë reale politike do të vlejë nëse votat e saj janë jo thjesht efikase për të bërë PD-në të fitojë, por që të rrisë pozitën e saj së pari.
E në gjendjen që ka sot serbratori electoral i opozitës si pasojë e ndarjes së PD-së, ka nisur një gjueti treshe tek votat e mbështetësve të opozitës.
Natyrisht duke nisur nga radikalët, që janë pjesa më e lehtë për t’i bërë për vete. Kur “Shtëpia e Lirisë” doli vrullshëm para 6 marsit që të nxjerrë jashtë loje Lulzim Bashën, u duk se do të kishte automatikisht një ngjizje mes LSI-së dhe PD-së së Berishës.
Por mungesa e një koordinimi sin ë qendër por edhe në bazë të këtij grupimi është sinjal i një paqartësie, që duket do të varet më shumë nga faktorët e jashtëm që priten pas 25 korrikut sesa ndodhitë brenda këtij konfigurimi politik.