Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është pyetur lidhur me një sipërfaqe toke rreth Parkut të Butrintit që ka humbur statusin e zonës së mbrojtur ku janë bërë dhe disa ndërtime.
Në konfenrecën e zhvilluar pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Margariti theksoi se bëhet fjalë për një zonë që është urbanizuar, duke e cilësuar si “Bathorja e Butrintit”.
“Plani i Menaxhimit të Integruar ka vendosur në vëmendje të institucioneve, bazuar në rekomandimin e UNESCO-s, rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura, aty ku kanë humbur statusin e tyre. Zona e hequr prej 800 hektarësh është zona e Ksamilit, zonë e urbanizuar që jo më kot e kemi cilësuar si Bathorja e Butrinit” – tha Margariti.
Sipas saj, në këtë sipërfaqe prej 800 hektarësh, janë zhvilluar disa projekte kërkimore, ku më pas është vlerësuar se kjo tokë nuk ka vlerë arkeologjike.
“Kjo zonë ka qenë deklaruar edhe si zonë me potencial arkeologjik. Nga 2014 kemi vënë një kuadër të qartë ligjor, ku kemi parë mungesën e potencialit arkeologjik. Pra nuk po prekim asgjë që ka vlera mjedisore dhe arkeologjike. Ka ardhur një moment i rishikimit të shumë parqeve kombëtare, rreth 18. Për sa i përket Gjirit të Manastirit, nuk ka rishikim të zonës” – shtoi më tej ministrja.
Margariti tha gjithashtu se “në Butrint nuk do të ketë ndërtime, përtej qendrës së vizitorëve që është aset i munguar për të arritur një standard botëror”.
g.kosovari