Nga ARTUR AJAZI
Në kuptimin e gjërë fjala “molepsje”, do të thotë të marrësh vese, të meta dhe diçka të dëmshme. Në çdo sistem politik, shoqëria, individi, dhe rrethe të tjera shoqërore apo politike, preken nga molepsja. Por ne na intereson e sotmja, dhe jo e shkuara. Kemi 30 e ca vjet, që kemi hyrë me entuziazëm të paparë në një rrugëtim të ri. Pasi përjetuam 45 vjet komunizmin, ne përmbysëm atë sistem për të provuar lirinë, demokracinë, ekonominë e lirë, mendimin e lirë, lëvizjen e lirë, dhe shumë menduan se “do të ishte gjithçka liberta, pa taksa, pa rregulla, pa ligje”. Por ja që, demokracia ka rregullat e saj, dhe ligje ndoshta më të forta se në diktaturë. E nisëm me kioska, zaptuam dhe pushtuan çdo pëllëmbë toke, e mbushëm me gardhiqe, me banesa dhe lokale kuturru, shpërfytyruam qytetet dhe rrënuam dhe braktisëm fshatrat. U dyndën të gjithë drejt qyteteve, dhe kujtuan se “do të bëjmë pallë, jetë mondane, varravingo kudo”. Shumica e atyre që lanë tokat, shitën bagëtitë dhe gjithçka kishin dhe erdhën në Tiranë dhe qytete të tjera, u zhgënjyen, dhe sot janë të mendimit të rikthehen andej nga erdhën. Në Shqipëri u zbatuan teori dhe “revolucione” shkatërruese për jetën, pronën,ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve, zbatimin e ligjit, etj…Duhej të kalonin afro 30 vjet, që të niste reforma në drejtësi, të arrestoheshin për herën e parë në historinë e tranzicionit ish-ministra, ish-drejtorë të lartë, deputetë, të arrestoheshin gjyqtarë dhe prokurorë të lidhur me krimin dhe korrupsionin, dhe do të duhej të ngrihej një strukturë e posaçme hetimore, e quajtur SPAK, e cila do të mbushej me qindra e mijëra akuza, denoncime dhe dosje penale për trafikantë droge me influencë rajonale e botërore, me dosje ministrash dhe deputetësh, zyrtarësh dhe individësh, të penduarish apo dhe të tjerë, që ç’nuk kanë bërë në Shqipëri, që deri para pak vitesh, lëngonte nga moszbatimi i ligjit. Aktualisht sot rezulton se, shoqëria shqiptare është e molepsur nga veset e këqija, institucionet të prekura nga korrupsioni, dhe drejtësia me shumë vështirësi po zvarritet për të dalë nga gropa e zezë e lidhjeve me krimin dhe korrupsionin. Edi Rama, ka arritur të bëjë linja të sigurta që shteti të funksionojë “on-line” në zyra shteti. Në Hipoteka, Gjendje Civile, në zyrat e Pasaportave e Kartave të Identitetit, në zyra patentash dhe shërbimesh të tjera, sot qytetari mund të aplikojë nga celulari dhe të marrë në kohë reale përgjigjen e duhur. As që mendohej kjo gjë para pak vitesh. Edi Rama, po mundohet me autoritetin dhe të drejtën që i jep detyra dhe ligji, të ç’molepsë shoqërinë shqiptare. E ka të vështirë, por mendoj se do t’ja dalë pasi vullneti mposht çdo ligësi njerëzore. Sapo del nga shtëpia, ndjen se është molepsur administratori pallatit, shitësi i lagjes, faturisti ujit dhe energjisë elektrike, zyrtari i institucionit dhe uniforma e shtetit. Frika ndaj ndëshkimit të ligjit dhe diskreditimit publik, i step ata të abuzojnë hapur me detyrën, postin, dhe shërbimin ndaj qytetarit. Përgjithësisht, njerëzit e kanë të vështirë të përshtaten me “të renë”, e kanë të pamundur të besojnë se sportelet u mbyllën, se nuk mund të japin më “para nën dorë” tek roja i derës së Hipotekës, Gjendjes Civile, apo tek drejtoritë e tjera, për të marrë shërbimin e duhur. Ata akoma përjetojnë kudo situatën e molepsjes, dhe kujtojnë gjithmonë se deri sot “i ka ardhur shpirti në majë të hundës për të marrë tapinë e tokës, banesës, certifikatën e martesës”etjjjjjjj.Të përmbysësh mentalitete të tilla, do të thotë të revolucionarizosh krejt shoqërinë e prapambetur. Dhe kjo është arritja më e madhe në demokraci. Kush e kupton Edi Ramën, ka arritur të kuptojë idenë e funksionimit të shtetit me ligje, kush nuk e kupton ka mbetur peng i molepsur deri në gjenezë, për të mos ndryshuar kurrë.