Presidenti francez nis përpjekjet për të ruajtur pushtetin, pasi humbi shumicën parlamentare në zgjedhjet e së dielës. Kreu i Elizesë do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e partive kryesore politike të Francës për të gjetur një zgjidhje politike.
Ai është nën trysni për të siguruar mbështetjen e rivalëve për të përmbushur agjendën e reformave të qeverisë së tij. Por as e djathta ekstreme e Marin Le Pen dhe as aleanca e majtë e Jean-Luc Mélenchon nuk duan të bashkëpunojnë me të.
Kjo nënkupton se presidentit i duhet të fitojë mbështetjen parlamentarëve mainstream, nga e majta dhe e djathta për të formuar një shumicë funksionale.
Analistët parashikojnë se një ujdi mund të siglohet me republikanët e kahut të djathtë edhe pse lideri Christian Jacob deri më tani e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
“Është jashtë diskutimit mundësia e një marrëveshje me qeverinë apo çdo lloj koalicioni. Ne jemi në opozitë me partinë e Macron dhe po ashtu me partinë nacionaliste të Le Pen dhe te majtwn ekstreme”.
Përfaqësues të partive do të vizitojnë pallatin Elize për bisedime të nivelit të lartë, të martën dhe të mërkurën.
Siç mësohet Le Pen është shprehur e gatshme të takojë Macron, por Melenchon jo. Bisedimeve u janë përgjigjur pozitivisht edhe lideri i socialistëve Olivier Faure dhe numri një i partisë komuniste Fabien Roussel.
Qeveria franceze e qendrës po përpiqet dëshpërimisht të shmangw një paralizë politike pas humbjes së shumicës, me disa analistë që paralajmërojnë se Franca po bëhet e paqeverisshme.
Qeveritë e pakicës janë diçka e rrallë në Francë, dhe koalicionit Ensamble të Macron i duhen plot44 vende për kontrollin e asamblesë.
/a.r