Rreziku nga rrjetet sociale që ju kanoset fëmijëve dhe adoleshentëve rritet çdo ditë, me përdorimin e aplikacioneve të ndryshme, që i lejon ata jo vetëm të komunikojnë por dhe të bullizojnë, kërcënojnë , apo fyejnë njeri tjetrin pa u identifikuar.
I tillë është dhe aplikacioni “Tellonym”, i cili që nga vetë emri lejon të shkruash dhe të jesh “sekret”. Por jo vetëm kaq, në këtë aplikacion fëmijë të shumtë në Tiranë kanë rënë pre e bullizmit.
Faqe të hapura nga nxënësit e shkollave kanë bërë që bashkëmoshatarët të etiketojnë njëri -tjetrin me emër mbiemër se me kë kanë krijuar marrëdhënie intime në shkollë dhe jo vetëm.
Fiksi vëzhgoi për ditë me radhë këto faqe të cilat nuk shërbejnë për asgjë tjetër përveçse për të etiketuar dhe shpifur për njeri tjetrin, sigurisht duke shfrytëzuar anonimatin që të ofron aplikacioni. Fjalori i përdorur nga adolëshentët dhe të miturit nëpër statuse është banal dhe fyes.
Në shumë statuse lexohen kërcënime qe adoleshentët i bëjnë njëri-tjetrit, ku kërkojnë domosdo identitetin, në mënyrë që të hakmerren.
Investigimi i Fiksit nisi pasi shumë prindër kërkuan ndihmën e gazetarëve sepse institucionet nuk vepronin dhe fëmijët nuk shkonin në shkollë. Kështu Fiksi solli vëzhgimin disa ditor që ju bëri këtyre faqeve, duke sjell një pjesë të statuseve.
Por jo vetëm kaq gazetarët kërkuan një përgjigje nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Së Fëmijëve, të cilët jo vetëm nuk ishin në dijeni të problemit, por kërkonin adresat e faqeve me link në mënyrë që t’i adresonin për t’i mbyllur, kështu puna e tyre nuk ishte asgjë tjetër përveçse kopjimi i këtij linku të cilin morën përsipër ta bënin pasi gazetarët ua çuan.
Ndërkohë, Tomi Kallanxhi, ekspert IT, tregoi për Fiksin se edhe pse statuset dalin anonim, mund të shkohet tek personi që i hap këto faqe, pasi sipas tij nëse i bëhet një kërkesë aplikacionit ata përgjigjen, po ashtu AKEP mund të bëjë mbylljen e tyre.
Ndërsa psikologia Denada Toçe, ngre alarmin se këto aplikacione duhen mbyllur.
“Tek unë kanë ardhur shumë raste që fëmijët nuk duan të shkojnë në shkollë për shkak të bullizimit” thotë znj.Toçe.
Të gjendur para këtyre fakteve gazetarët e Fiksit kërkuan përgjigje në Agjencinë Kombëtare të Fëmijëve, ku kjo e fundit thotë se nuk ka dijeni për rastin, dhe nëse gazetarët do i dërgojnë linqet e adresave atëherë do adresohet mbyllja e tyre.
Përveç këtyre edhe pse në Policinë e Shtetit ka pasur dhjetëra denoncime për rastet, ky institucion nuk kthen përgjigje për gazetarët e Fiksit./m.j