Deputeti demokrat, Belind Këllici, komentoi në emisionin ‘Kontrast’ zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. Ai tha se emra jashtë kësaj force politike, e sulmuan atë për të frenuar zgjedhjen e tij si nënkryetar i PD.
Sipas Këllicit, edhe pse ai ishte më i votuari për anëtar të Kryesisë, xhelozia arriti të fitojë dhe të bindë demokratët që votuan për drejtuesit e lartë të PD. Me këto akuza, Këllici i referohet Evi Kokalarit, e cila prej një kohe të gjatë e sulmon publikisht duke kërkuar të që deputeti në fjalë të mos mbështetet nga demokratët.
I pyetur për gjendjen e Partisë Demokratike, ku deputetët janë të ndarë në dy grupime, ai u shpreh se habitet me pozicionimin e Enkelejd Alibeajt. Sipas tij, Alibeaj është kthyer në një zëdhënës të Qeverisë.
“Një pjesë e deputetëve të PD që vijojnë të bëjnë lojën e Edi Ramës, të kryesuar nga zoti Enkelejd Alibeaj, nuk e kuptojnë faktin dhe realitetin politik brenda Partisë Demokratike. Ky realitet është i pamohueshëm. Që një pjesë e Grupit Parlamentar të mos njohë vullnetin e shumicës, mua kjo më duket vetëvrasje politike dhe në rastin më të keq shërbim ndaj qeverisë. E pyes veten shpesh herë përse i shërben Edi Ramës dhe nuk e gjej dot shpjegimin. Me çudit sesi një person që vjen nga shtresa e ish të përndjekurve politikë të bëjë zëdhënësin e Qeverisë” – deklaroi Këlliçi.
Duke u ndalur tek mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqiëprisë, deputeti i PD u shpreh se e përkrah si iniciativë, por marrëveshjet duhet të konkretizohen. Këlliçi u shpreh se bashkimin me Kosovën e përkrah vetëm në kuadrin e anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
“Unë jam avokat i bashkimin me Kosovën si pjesë e Bashkimit Evropian. Sigurisht që mbledhja e dy qeverive është një lajm i mirë, por të mos mbeten vetëm në letër nismat. Uroj të konkretizohen për t’i shërbyer shqiptarëve në të të dyja trojet” – tha ai për Report TV.
/e.d