Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të inspektores së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Brunilda Çarçiu.
Gjatë seancës dëgjimore më 14 qershor, Çarçiu u pyet dhe dha shpjegimet për pasurinë dhe statusin e magjistratit. Çarçiu mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Komisioni konstatoi pamundësi financiare të inspektores Çarçiu për krijimin e pasurive, ndërsa subjekti pretendoi se kishte vërtetuar të kundërtën e barrës së provës. Hetimi administrativ për Çarçiun u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Brunidla Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Lulzim Hamitajn.
Trupa e KPK-së është ndarë lidhur me vetingun e Çarçiut, ku shumica ka vlerësuar që subjekti t’i nënshtrohet procesit të rivlerësimit kalimtar si inspektore dhe ish-gjyqtare, ndërsa pakica dhe ONM kanë paraqitur mendim se Çarçiu nuk është subjekt rivlerësimi dhe se procesi duhet të ndërpritet.
Çarçiu është emëruar gjyqtare në vitin 1991 në Gjykatën e Gramshit dhe në vitin 2000 ka dhënë dorëheqjen duke u emëruar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë. Në vitin 2011, Çarçiu ka filluar punë si specialiste pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në nëntor të 2016-ës, është emëruar si inspektore në këtë institucion./ BIRN
/e.d