Nga ARTUR AJAZI
Sa më shumë kalojnë ditët, muajt dhe vitet, aq më i palëundur bëhet mendimi se, Edi Rama po e bashkon Shqipërinë dhe Kosovën de facto dhe de jure. Po bën realitet një ëndërr të hershme të shqiptarëve këtej dhe përtej kufirit. Eshtë pikërisht ai, “armiku” Rama, që siç thotë prej 2 dekadash Sali Berisha “punon kundër interesave tona dhe kosovarëve”. Të besosh Berishën, do të thotë të jetosh në ishull, i vetmuar, i pashkolluar, i paqytetëruar, dhe aspak europianist. Edi Rama, e nisi dhe ka ndërmend ta përfundojë këtë mision historik dhe kombëtar. Mbledhjet e 2 qeverive, janë vetëm fillimi i një rrugëtimi të mbarë dhe plot suksese mes dy vendeve tona, të ndara pabesisht prej 110 vitesh. Eshtë pikërisht ai, “armiku” Rama, që bëri realitet zbatimin e projekteve madhore verbale dhe reale mes dy vendeve, është pikërisht ai që Berisha e akuzon dhe përgojon çdo ditë, që po afron pa dallime shqiptarët dhe kosovarët, duke rritur efektivitetin e shkëmbimeve tregëtare, njerëzore, institucionale, ligjore etj. Mendoj se i akuzuari për problemet e Kosovës në 30 e ca vjet, mbetet Sali Berisha, mbetet njeriu që ushqente me karburant makinerinë e luftës së Limosheviçit, ai që uluriste me të madhe “mos firmosni në Rambuje”, mbetet njeriu që, sa ishte në pushtet nuk u krijoi asnjë lehtësirë kosovarëve, nuk afroi asnjë shans bashkëpunimi mes dy qeverive të vendeve tona, ishte ai që gjithmonë i ka trajtuar kosovarët si “shtetetas të ish-Jugosllavisë”. Sali Berisha nuk e ka dashur dhe nuk e do bashkimin me Kosovën. Ai e di fare mirë se, një afrim dhe bashkim me Kosovën, do ti çirrte atij maskën e “nacionalistit”, dhe do ti vishte “mantelin” e hipokritit. Afrimin dhe bashkëpunimin me Kosovën, e ka arritur de facto dhe de jure vetëm Edi Rama. Edhe pse përpjekjet e tij për ta bërë pjesë e “Open Balkan” edhe Kosovën duken të vakëta për momentin, Edi Rama nuk mungon të shtojë intensitetin e bashkëpunimit institucional me qeverinë e Albin Kurtit.Kryeministri i Shqipërisë,mbetet “rregullatori” i vetëm i marrëdhënieve mes dy vendeve, duke krijuar një bashkëpunim të frytshëm në të gjitha fushat. Firmosja e marrëveshjeve dypalëshe mes ministrive tona të Arsimit, Energjitikës, Turizmit, Financave, ministrive të Brëndshme dhe të Jashtme, si dhe dhjetra marrëveshje të tjera respektive, apo dhe zbatimi i tyre në terren pa humbur asnjë ditë vonesë, kanë krijuar një klimë të shkëlqyer bashkëpunimi mes dy vendeve të një kombi. Askush nuk e mendonte para 10 vitesh, se do të vinte dita kur dy qeveritë tona, do të uleshin, bisedonin dhe firmosnin marrëveshje bashkëpunimi, askush nuk e mendonte se do të vinte dita kur lëvizja mes shtetasve të dy vendeve tona do të ishte e lirë, dhe se tregëtia mes dy vendeve tona do të njihte rritje të paimagjinueshme. Lojërat me “rezoluta për genocidin serbe” janë vetëm hipokrizitë e një politikani që ka treguar me vepra se, nuk e do bashkimin me Kosovën. Berisha e ka humbur shansin për të qenë ai, “promotori” i bashkimit qeveritar, parlamentar dhe njerëzor me Kosovën. Lojërat e tij politike me “nacionalizëm dhe patriotizëm”, kanë marrë fund, ashtu siç ka marrë fund përpjekja për të sfumuar kontributet e Edi Ramës në Ballkanin e trazuar, për të sjellë afrimin, bashkëpunimin, dhe bashkëjetesën paqësore mes popujve tanë. Tanimë ëndërra shekullore e shqiptarëve, po bëhet realitet. Shqipëria dhe Kosova janë pothuajse të bashkuar de facto, ndërkohë që firmosja së fundi i dhjetra marrëveshjeve institucionale me reciprocitet të përbashkët,që rregullojnë dhe lehtësojnë jetën e përditshme dhe problematikat mes qytetarëve të dy vendeve, janë patjetër një hap i madh drejt një bashkimi de jure, e cila natyrisht i përket së ardhmes.