Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali është përlotur teksa ka rrëfyer historinë vogëlushi ukrainas i cili donte të kontribuonte për vendin e tij.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, ministrja solli në vëmendje historinë e një 7-vjeçari i cili i kishte dhënë kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko-s një enë me monedha të cilat ishin kursimet e tij të jetës.
“Do t’i jap për Ukrainën, luftoni për ne” – ishin fjalët e vogëlushit për kryetarin e bashkisë së Kievit.
Spiropali: I gjithë populli i Ukrainës janë heronj të vërtetë që po qëndrojnë përpara një ushtrie 10 herë më të madhe dhe më të fuqishme por nuk dorëzohen. Nuk dorëzohen sepse rusët nuk e dinë se për çfarë po vdesin, ukrainasit e dinë se për çfarë po luftojnë dhe për çfarë po jetojnë. Ky është ndryshimi shumë i madh, prandaj një ushtri kaq e madhe nuk po e mposht dot Ukrainën. Sepse vullneti i këtyre njerëzve dhe dëshira për t’iu lënë fëmijëve të tyre një vend të lirë, demokratik, një vend europian është shumë e madhe.
Kryebashkiaku i Kievit, Klitschko po na tregonte një rast të një fëmije të vogël. Ai mbi tavolinën e tij kishte një enë të vogël qelqi të mbushura me monedha. Na tha që këtë ia kishte dhënë një fëmijë shumë i vogël, 7 vjeç. Ishin kursimet e jetës së tij. Këto kam, do t’i jap për Ukrainën dhe luftoni për ne, i tha fëmija.