Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji me anë të një postimi në Facebook ka risjellë në kujtesë premtimin e bërë nga kryeministri Edi Rama në një seancë parlamentare se Shqipëria do të kishte satelitët e saj në hapësirë në një periudhë shumë të afërt kohore.
“Edi Rama premtoi solemnisht se këtë Mars dhe Qershor do të ngrinte në hapësirë dy satelitët shqiptarë dhe na ftoi të mos qeshnim me premtimin e tij!”, shkruan Salianji bashkëngjitur videos ku Rama bën deklaratën, e cila duhet thënë se shkaktoi shumë të qeshura në sallën e Kuvendit.
Më tej Salianji ironizon kryeministrin duke thënë se e vetmja gjë që po fluturon në Shqipëri aktualisht janë çmimet, si të karburantit dhe të ushqimeve.
“Në këtë muaj kur duhet të ishin në hapësirë dy satelitët që do të bënin namin, në qiell kanë fluturuar çmimet e shportës dhe nafta! Sot më shumë se çdo herë tjetër qytetarët kanë nevojë për ndihmën e qeverisë jo për qeveri që fluturon me satelitë…”, konstaton deputeti i PD.