“Jam i shkatërruar dhe ndihem bosh nga brenda.” Kështu është shprehur ditën e sotme babai i Elenës së vogël në Itali që dyshohet të ketë dhënë shpirt në duart e të ëmës.
Alessandro Del Pozzo ka thënë për mediat se i kishte premtuar vajzës së tij 5-vjeçare që do ta mbante gjithnjë të sigurt “siç do të bënte çdo baba i mirë.”
“Do të kisha dhënë jetën për të,” është shprehur Alessandro.
Po ashtu, babai i Elenës së vogël hedh poshtë mundësinë që nëna e saj Martina të ketë probleme me shëndetin mendor.
“Një vrasje për të cilën krijohet një alibi dhe trupi fshihet nuk mund t’ia atribuosh çmendurisë. Martina është monstër dhe nuk e meritonte një vajzë si Elena e cila ishte e veçantë dhe unike në çdo gjë.”
Ai beson se ish-partnerja e tij ka planifikuar çdo gjë në detaje.
“Ajo as që u pendua për atë që i bëri Elenës. E futi në qese mbeturinash, e varrosi dhe sajoi një rrëmbim duke krijuar një alibi. Përplasi edhe makinën edhe sajoi një sulm. 24 orë me gënjeshtra.”
Kujtojmë se Martina Patti u dorëzua dhe pranoi krimin pasi u mor një natë të tërë në pyetje. Ajo pranoi se e kishte vrarë fëmijën pasi e kishte marrë nga kopshti në Tremestieri Erneo dhe inskenoi rrëmbimin e saj nga persona të armatosur. Por motivi mbetet i paqartë.
/e.d