Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, kryesoi takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit me temë “Bashkëpunimi ndërmjet OKB-së dhe organizatave rajonale dhe nënrajonale (BE)”.
Ajo vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes OKB-së dhe BE, duke e cilësuar atë si thelbësor në adresimin e rritjes dhe kompleksitetit të krizave me të cilat përballet paqja dhe siguria ndërkombëtare.
“Ne besojmë fort, se krizat me të cilat bota po përballet bëjnë thirrje për më shumë multilateralizëm, për më shumë veprime të unifikuara dhe të koordinuara, duke përfshirë mbi të gjitha Këshillin e Sigurimit, Asamblenë e Përgjithshme dhe gjithë sistemin e OKB-së. BE është kontribuesi financiar më i madh, prandaj, ajo duhet të ndikojë dhe të projektojë veprimet e saj lidhur me çështjet humanitare, zhvillimore dhe zgjidhjen e konflikteve në mbarë botën”, tha ajo.
Kryediplomatja Xhaçka vuri theksin tek mbështetja e Komisionit Evropian për zgjerimin e BE-së, teksa u shpreh se Shqipëria është gati për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare.
“Ne kemi kënaqësinë të themi se, ne e kemi bërë pjesën tonë dhe jemi të gatshëm për kapitullin e ardhshëm, në një proces që duhet të shkojë përpara me peshën e tij të paçmuar politike, një investim pa kthim drejt stabilitetit, sigurisë dhe drejt një të ardhmeje të sigurt të përbashkët”, deklaroi ajo.
Sipas ministres Xhaçka, agresioni rus vazhdon të vërë në rrezik jetët dhe sigurinë fizike të evropianëve, por gjithashtu paraqet një sfidë për vlerat e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë që bashkojnë evropianët.
Ajo vuri theksin tek përshpejtimi i përpjekjeve të Bashkimit Evropian në lehtësimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili tha ministrja “duhet të çojë në njohje reciproke”.
“Është koha për të parë rezultate konkrete dhe arritje të qëndrueshme. Sa më shpejt që të mbyllet ky kapitull me një marrëveshje, aq më mirë do të jetë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike apo ideologjike”, tha ajo.
g.kosovari