Ky është Lulash Qepuri 74-vjeçari i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së mërkurës në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në lokalin e viktimës, në fshatin Stom Golem. Gazetarja Emi Kalaja përcolli këtë të enjte detaje për ngjarjen e rëndë. Sipas saj, viktima është qëlluar me pistoletë, ndërkohë që ka qenë i biri që i është kundërpërgjigjur autorit të kësaj ngjarjeje me shotgun.
Autori ka qenë i maskuar dhe në momentin që i është afruar lokalit të Lulash Qepurit, ka hapur zjarr në drejtim të tij. Kjo ka sjellë edhe reagimin e djalit të viktimës, i cili me të parë situatën, ka shkuar me shpejtësi brenda lokalit duke marrë armën, megjithatë ai nuk ka mundur ta neutralizojë atentatorin. Menjëherë më pas, djali i viktimës ka hedhur armën në tokë dhe ka njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes, autoritetet kanë gjetur plot 26 gëzhoja.