Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, u thirr në një interpelancë nga deputeti demokrat, Ervin Salianji, këtë të enjte për t’u përgjigjur për disa çështje që lidhen me Operacionin Forca e Ligjit. Çuçi u shpreh se numri total i subjekteve të hetuara nga OFL është 2199. Ndërkohë më tej shtoi se pas përfundimit të vetëdeklarimit, në SPAK janë referuar 239 praktika.
“Për t’i kthyer përgjigje më të drejtpërdrejtë të pyetjeve tuaja, pra sa është numri total i subjekteve të hetuara nga operacioni Forca e Ligjit? Numri total i subjekteve për të cilat janë shtrirë hetimet që nga faza e Policisë së Shtetit është 2199 nga të cilët referime kemi marrë 1682 subjekte që janë evidentuar nga drejtoritë vendore të policisë, 475 janë të iniciuara nga vetë policia, nga vetë OFL dhe 42 janë subjekte të evidentuara nga Drejtoria e Antiterrorit. Vetëm në kuadër të aktit normativ për OFL, gjatë periudhës 1 Shkurt 2020 – 1 Dhjetor 2020, siç ju thashë kemi hetuar 2199 subjekte nga të cilat 741 subjekte janë njoftuar për të bërë vetëdeklarimin e pasurisë. Nga të cilët janë 617 subjekte të cilat janë drejtpërdrejtë subjekte të aktit dhe 124 janë lidhje familjare, shoqërore të subjekteve. Pas përfundimit të vetëdeklarimit janë 239 praktika që i janë referuar SPAK”.
Ndërkohë tashmë tha se ligji ka mbaruar efektet dhe nuk mund të flasim më për numra që i referohen SPAK-ut.
“Siç thashë tashmë ligji ka mbaruar efektet që në Dhjetor 2020 dhe nuk mund të flasim më për numër që t’i referohet SPAK-ut sepse nuk ka më forcë akti normativ i miratuar për këtë qëllim”, tha Çuçi.
Ndërkohë, nga ana tjetër, deputeti demokrati, Ervin Salianji, tha se OFL ka dështuar. Sipas tij, ajo ishte një nismë për të pastruar me letra pasuritë e grupeve kriminale.
“Pse nuk del më kjo pas 25 Prillit? Ku janë ata që dilnin si nëpër aksiona nëpër filma dhe po i gjenin paratë nëpër rrugë njerëzve? A ka pasur apo selektivitet?”, shtoi ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, Salianji.
/a.r