Zhdukja e Ulvi Skanës është regjistruar nga prokuroria e Tiranës si rrëmbim personi, raporton News24.
Skana, 29-vjeçari nga Lura, rezulton i zhdukur prej 17 majit.
I riu jetonte në Bathore dhe sipas familjarëve të tij ai nuk ka probleme me drejtësinë.
Mësohet se Prokuroria po pyet personat që kanë pasur kontakt me të para zhdukjes dhe është duke kryer veprime hetimore lidhur me zbardhjen e sa më shumë detajeve që mund të çojnë në gjetjen e gjurmëve të të riut.
DYSHIMET E ZHDUKJES SIPAS TË ATIT
Ulvi Skana, 29-vjeçari nga Lura, rezulton i zhdukur prej 17 majit. I riu jeton në Bathore dhe sipas familjarëve të tij ai nuk ka probleme me drejtësinë. Më parë ka pasur një ekspuls nga Gjermania, por sipas të dhënave të familjes ai e kishte shlyer. Babai i tij, Hasan Skana, duke folur për mediat ka deklaruar se djali i tij i ka thënë: “Do iki në Belgjikë. Prej datës 17 nuk kemi asnjë kontakt. Prita tri ditë dhe shkova në Polici. Shkova te spitalet, kontrollova dhe nuk kishte gjë”.
Më tej, ai ka treguar se djali i tij ka qenë shok me Can Karriqin, miku i biznesmenit Ervis Martinaj që u vra më 23 dhjetor 2021 në Kamzë. Ai u ekzekutua brenda një makine me targa gjermane, nga persona ende të paidentifikuar, të cilët as sot nuk janë kapur. Edhe hetimet e Policisë në lidhje me zhdukjen e 29-vjeçarit janë përqendruar te kjo pistë pasi i riu nga Lura pas vrasjes së ndodhur në dhjetor është marrë në pyetje nga Policia.
“Ka pasur dhe raste të tjera kur ka ikur nga shtëpia, deri në dy ditë. Por kthehej prapë. Ishte përdorues i lëndëve narkotike. Ishte shok me Can Karriqin që u vra kohë më parë në Institut. Ishin shok, shoqëroheshin. Pas tri ditësh pas vrasjes e shoqëruan dhe në Komisariat. E mbajtën 12 orë dhe u la i lirë. Nuk ka pasur raste të tjera për të cilat mund të jetë shoqëruar. Familja ime nuk ka pasur asnjë konflikt. Policia nuk më ka thënë gjë, as nuk më kanë kërkuar informacione për djalin”.
g.kosovari