Nesër në orën 12:00 do të mblidhet Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale, megjithatë përgatitjet kanë nisur që sot.
Nga Kryesia e Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla tha se duhet të gjendet një mënyrë që të shkohet drejt një organizimi me funksion rajonal, ndërsa kërkoi që opozita t’i përmbahet objektit.
Balla tha se komisioni për reformën zgjedhore do të jetë vështirë të aplikohet për zgjedhjet e ardhshme vendore, që sipas një përllogaritjeje, ai thotë se mund të mbahen në periudhën nga 15 prilli deri më 15 maj të vitit 2023.
Parimisht, Balla u shpreh kundër idesë së artikuluar në vazhdimësi nga opozita, për shtim të bashkive, duke thënë se edhe ato aktualet, janë më shumë se nevojiten.
Ndërsa Alibeaj pret nga demokratët që të sjellin me shkrim: (i) Një analizë të problematikave të zonës ku ai është zgjedhur, në nivel bashkie dhe/ose qarku; (ii) Personat, qofshin funksionarë apo ish-funksionarë të PD-së në nivel vendor, apo edhe aktorë të tjerë relevantë, që duhet të konsultohen; dhe (iii) Propozimet e tij/saj për kriteret dhe standardet që duhen aplikuar për ndarjen e re administrative-territoriale të tilla si, por pa u kufizuar në, popullsia, gjeografia, zhvillimi ekonomik, shërbimet ndaj qytetarëve, lidhjet kulturore, historike etj.
Dy kryetarët do të jenë Anila Denaj nga PS-ja që do të bashkëdrejtojë me Dhurata Çupin nga PD-ja. Ky grup do të përbëhet nga 16 anëtarë, 8 nga mazhoranca dhe 8 opozita, duke përfshirë edhe Vangjel Dulen dhe Mesila Dodën, nderkohe qe grupi i “Rithemelimit” te Berishe dhe LSI nuk kane asnje deputet ne komisione!
Ndërsa ende nuk ka një datë për nisjen e punimeve për “Zgjedhoren”. Reforma Zgjedhore dhe Territoriale janë konsideruar si “2 kuajt” e betejës së opozitës, me të cilat “kushtëzuan” edhe votat për zgjatjen e afateve të Vettingut./m.j