Nga Bashkim Zeneli
Kanë kaluar 19 vite nga Samiti i qershorit 2004 të Selanikut. Presidenca greke e BE-së bëri një pune të jashtëzakonshme dhe shpalosi një vizion të qartë e tepër optimist për perspektivën europiane të rajonit tonë. Ai ishte dhe mbetet edhe për sot një model frymëzues.
Më shumë se kurrë, sot BE duhet të shohë me përgjegjësi vendin e Ballkanit Perëndimor në gjirin e saj, pa frazeologji të thinjur e pa skepticizëm. Europa është e ardhmja jonë, është apeli ynë, fati dhe aspirata jonë. Është detyrimi dhe përgjegjësia jonë, po aq sa e BE-së. Asnjë alternativë tjetër nuk ka, nuk duhet të diskutohet e nuk duhet të ketë.
SAMITI I SELANIKUT I BASHKIMIT EUROPIAN
Presidenca greke e Bashkimit Europian ishte vërtet një ngjarje shumë e rëndësishme dhe ne si ambasadë do ta ndiqnim me shumë vëmendje. Ajo ishte presidenca e perspektivës europiane të rajonit dhe, me Samitin e Selanikut, unë e them me shumë përgjegjësi që mësimet dhe detyrat e saj janë shumë aktuale dhe të rëndësishme edhe për sot. Samiti i Selanikut do të organizohej nga 19 deri më 21 qershor 2003, në Porto Carras Sithonia, në Chalkidiki, në një zonë të mrekullueshme turistike, të njohur në të gjithë Europën.
Hotelet luksoze, në një kompleks të madh si Meliton, Neos Marmaras, Sithonia, Village Inn etj., kanë një emër të madh, sidomos për bujarinë dhe mikpritjen e banorëve të asaj zone. Nuk mund të rri pa thënë se ne, si ambasadë, kemi hasur në ditët e fundit, para fillimit të Samitit, vështirësi të panumërta nga pala jonë, me listat, me oraret e mbërritjes, me mjetet e mbërritjes etj.
Me të gjitha këto do të duhej të “përballeshim” me MPJ e të Rendit të Greqisë, por që përherë do të na mirëkuptonin.
Dërgonim një notë verbale me lista emrash, përfshirë edhe gazetarë, në mëngjes dhe pasdite dërgonim një tjetër notë me ndryshime. Kjo, deri ditën e fundit. Siç e thashë, në Tiranë flitej për marrëdhëniet e ftohta midis Presidentit Moisiu dhe Kryeministrit Nano dhe kjo fare lehtë mund të “deshifrohej” edhe në përgatitjen dhe përfaqësimin për në Selanik. (Vetëm Shqipëria do të përfaqësohej nga Presidenti dhe Kryeministri, asnjë vend tjetër nuk i kishte të dy!) Dukej se çdo “palë” punonte në këtë drejtim, si për “vete” e jo si “palë shqiptare”.
Dhe këto, pavarësisht se reflektonin jo për mirë raportet midis Presidentit dhe Kryeministrit, krijonin edhe shqetësime për palën greke e për ne si ambasadë, në organizimin e punëve, që nga mbërritja, akomodimi, bexhot, takimet dypalëshe, drekat e darkat zyrtare etj. Nuk do të kalonte pa rënë në sy, qoftë edhe si praktikë thjesht protokollare, mospjesëmarrja e ministrit të Jashtëm, z. Meta, në Samit.
Unë i njihja “përplasjet” midis Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe nuk do të kalonte veçse pak kohë që zoti Meta të jepte dorëheqjen… Dy ditë para nisjes së Samitit, do të njoftohesha se nga pala jonë do të vinin mbi 50 vetë, me zyrtarë të Presidentit dhe të Kryeministrit, me shoqëruesit e pafund, por edhe me gazetarët e pafund të shtypit dhe televizioneve.
Na u përmbysën të gjitha planet dhe veprimet që kishim përfunduar me protokollin e shtetit. Ishim para fakteve të kryera! Për gati një orë, në sallonin e pritjes VIP të aeroportit të Selanikut, do të shihej qartë ftohtësia midis Presidentit dhe Kryeministrit. Me zor bisedonin me njëri-tjetrin dhe si me përtesë apo bezdi i kthenin përgjigjet.
Dukej se Presidenti Moisiu shfaqej më “i gatshëm” të “toleronte”, “të harronte”, të paktën këtu në Greqi, në Selanik, në Porto Carras, për në Samitin e BE-së, “përplasjet’ që kushedi pse do të kishin pasur. Kryeministri Nano vetëm pinte cigare dhe, i qetë, shpotiste me ndonjë batutë, herë me adresë e herë pa adresë. Në helikopter për në Porto Carras kishte përsëri heshtje, por tani kjo justifikohej nga zhurma e madhe e nga kufjet në vesh…
Pas akomodimit në hotel, i propozova, duke folur për këtë situatë ftohtësie, Kryeministrit Nano, që të shkonim së bashku me Presidentin Moisiu në darkë me një rreth të ngushtë, në një lokal jashtë qendrës së Samitit. Në fillim, z. Nano hezitoi, por pasi këmbëngula pranoi. Dhe teksa po pinim kafe në hollin e hotelit dhe kur kishte nisur të binte mbrëmja, nga ashensori doli Presidenti Moisiu, i veshur me një robdishambër të bardhë e me pantofla të bardha, me një ecje të shpejtë, të drejtë. Po shkonte për t’u larë në det….
– Tani është shumë mirë të lahesh në det, ambasador. Nuk do të qëndroj shumë… Kjo më bën shumë mirë, më lehtëson, më heq lodhjen.
– Do të dalim së bashku për darkë, z. President, nuk do të hamë në hotel, – i thashë, – do të vij edhe z. Nano.
– Dakord jam, po ke biseduar me Kryeministrin? – Patjetër, Kryeministri është dakord.
– Atëherë nuk do të vonoj shumë.
Shkuam në një lokal buzë detit dhe Presidenti e Kryeministri u ulën pranë njëri-tjetrit, me zonjën Mirela, vajzën e z. Moisiu dhe me zonjën Nano. Unë isha me Engjëllushen. Ishim rreth 10 vetë në tavolinë.
Z. Nano e thyen akullin duke iu drejtuar z. Moisiu, sa për të nisur bisedën, se si ishte uji.
“Shumë i mirë, u freskova… Ishte ujë shumë i pastër…”
Porositëm darkën dhe biseda nisi me tema të ndryshme me copëza, për peshkun, për verën, plazhet, hotelet luksoze të asaj zone, për muzikën greke, për këngët e vallet e ngjashme dhe.. për Samitin e BE-së.
Zoti Nano sikur nuk kishte pasur asnjë ftohtësi me Presidentin, nisi të tregojë anekdota, të flasë me batuta, të bëjë humor, të ngacmojë Mirelën, vajzën e Presidentit. Të gjithë do të qeshnim. Do të qeshte me të madhe edhe Presidenti Moisiu dhe, më shumë se zoti Nano, të linte përshtypjen se kështu, me të qeshura e me batuta, shkonin gjithmonë. U duk qartë se, të paktën, në ditët e Samitit, do të ishin të dy shumë të mirëkuptuar e miqësor. (Që në aeroportin e Selanikut, gazetarët përpiqeshin të kapnin ndonjë gjë që ishte sjellë nga Tirana).
Zoti Nano, siç e kishte përherë zakon, provoi verën që kishim porositur. Kamerieri i rrinte pranë me shishe në dorë, duke e vështruar nëse do të kënaqej apo jo. Z. Nano e mori gotën e verës, e kapi ashtu si duhet, në fund të bazamentit, e tundi disa herë, i mori erë, e kaloi një gllënjkë, e mbajti pak në gojë duke e rrotulluar, pa kamerierin në sy dhe tundi kokën për t’i thënë: është e mirë!
Edhe Presidenti e shijonte mjaft mirë…
“O sa mirë bëre, ambasador, që na solle këtu… po kënaqemi. Kjo verë qenka e mrekullueshme… Si e ka emrin… Nga kjo zonë është… E mirë, z. Kryeministër, apo jo?”, do të pyeste vërtet me humor Presidenti Moisiu.
Ndenjëm deri vonë dhe vetëm duke qeshur në tavolinë. Nisa të besoj se nga ato që fliteshin apo komentoheshin edhe në shtypin tonë, asgjë nuk ishte e vërtetë. Ose të paktën, dhe kjo ishte shumë mirë, të krijohej përshtypja se edhe Presidenti, edhe Kryeministri, mezi prisnin “pajtimin”.
“Bëre shumë mirë, herr Botschafter”, do të më thoshte disa herë, para se të ngriheshim, “bëre shumë mirë që nuk ndenjëm për darkë aty ku na kishin planifikuar… apo jo, z. president? Jo për gjë, po t’i mbushim mendjen nesër të gjithë ekipit shqiptar se me Presidentin vërtet nuk kemi asnjë, asnjë mosmarrëveshje”.
Nuk u nisa për t’i “pajtuar” se, në fund të fundit, nuk e dija se edhe nga vinte ajo ftohtësi e përfolur.
Z. Nano, sapo mbërritëm në hotel nga aeroporti, kur e pyeta, më tha shkurt: “Po hiç ore, asgjë nuk ka… ku di unë se ku i ka mbet atij!!!”
Veçmas, z. Moisiu do të më thoshte përsëri: “U bë shumë mirë që u ulëm bashkë në atë darkë… Po ç’të them unë, o z. ambasador, kështu e ka Fatosi, ti e njeh më mirë”.
Të nesërmen do të ndiqnim fillimin e punimeve të Samitit. Përfaqësimi nga të gjitha vendet ishte në nivelet më të larta. Kishte vërtet një frymë optimiste dhe dukej që çdo gjë do të shkonte mirë.
Samiti, pa asnjë dyshim, do të mbetej në historinë e BE-së për atë që përcolli për rajonin tonë. Asnjë samit më i mirë për Rajonin nuk është organizuar deri më sot. Ishte zhvilluar më 24 nëntor edhe Samiti i BE-së- Vendet e Ballkanit Perëndimor (Procesi i Zagrebit II), por situata tani ishte më e shëndoshë, më e stabilizuar dhe aspirata euroatlantike dukej më frymëzuese për vendet e Rajonit.
Kosova, që nga mbarimi i luftës në 1999, kishte bërë përparime. Por edhe Shqipëria kishte pak muaj që ishte përfshirë qartë e me vullnet të plotë në procesin e stabilizim-asociimit. Europa ishte rruga jonë, e ardhmja jonë, një rrugë e gjatë, e vështirë, një rrugë dykalimëshe, siç thonë gjermanët, por rruga e vetme që kishim zgjedhur e ku duhet të bënim më së miri, në radhë të parë për vete, detyrat e shtëpisë.
Përgatitja, objektivat dhe tematika e Samitit ishin vërtet një model frymëzues. Dhe kësaj do t’i shtojmë edhe pjesëmarrjen e Kosovës, që kishte një rëndësi të madhe politike. “Europa jonë. Ndajmë të ardhmen në një bashkësi vlerash!”, ky ishte mesazhi qendror i Samitit të Selanikut. (Një mesazh që ka tingëllim të fortë edhe sot, me problemet, vështirësitë dhe sfidat që po kalon Europa.
Ajo sot nuk është aspak në ditën e saj më të mirë, po pa Europë të bashkuar nuk ka paqe, nuk ka liri të vërtetë, siguri, progres. Europa është shtëpia jonë dhe për forcimin e saj duhet të kontribuojnë me përgjegjësi të lartë të gjitha vendet, anëtare e jo anëtare!) Kishin ardhur të 15 vendet anëtare, por edhe 10 vendet kandidate për anëtarësim, sipas vendimeve të Kopenhagës: Qipro, Republika Çeke, Estonia, Lituania, Letonia, Hungaria, Malta, Polonia, Sllovakia ne Sllovenia. Ato prisnin të gatshme për t’u anëtarësuar me 1 maj 2004, pra pas një viti. Ishin edhe vendet e Rajonit.
Presidenca greke do të mbështeste fuqimisht e me një strategji të qartë afrimi Bullgarinë dhe Rumaninë. Por edhe Turqinë, si vende kandidate për në BE. Vendimet e Brukselit dhe të Kopenhagës përfshinin një axhendë të përcaktuar qartë për plotësimin e kapitujve të “Community acquis”, me synimin e dëshiruar, në plotësim të kushteve që këto vende të përfshihen në BE në vitin 2007.
Zgjerimi i Bashkimit Europian do t’i shërbente më tej forcimit të sistemit demokratik, do të ofronte më shumë midis tyre qytetarët, popujt, shoqëritë, të bazuar në një demokraci të shëndoshë, në funksionimin e shtetit të së drejtës, në respektimin e të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, në barazinë midis shteteve anëtare dhe në solidaritet… me një qeverisje të mirë, me shmangien e konflikteve dhe me forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikut të drogës etj.
Samiti i Selanikut, sidomos për vendet e Ballkanit, ka pasur “paralajmërime” të qarta në nevojën e thellimit të luftës kundër trafikut të drogës, në veçanti. Kjo çështje, në qershorin e vitit 2003, në Selanik (Porto Carras) zuri një vend të rëndësishëm.
Do të kërkohej një vëmendje shumë më e madhe dhe një përgjegjësi shumë më e lartë në zbatimin e Drugs Action Plan (2000-2004) për rajonin e Ballkanit, nëpërmjet një bashkëpunimi shumë më të mirë rajonal si dhe me operacionet e US/ Europol dhe US/SECI. Dhe në këtë drejtim, Greqia do të angazhohej të kontribuonte aktivisht edhe në të ardhmen.
Pesë do të ishin prioritetet e Presidencës greke të radhës që kishin qene objekt i një pune të madhe e që u shtruan edhe si përfundime e detyra, me debate konstruktive në Samit:
1. Zgjerimi i Bashkimit Europian, si asnjëherë tjetër, do t’i jepte fund ndarjes artificiale të Europës dhe do të bashkonte shoqëritë dhe ekonomitë, do të forconte paqen dhe stabilitetin.
2. Implementimi i vazhdueshëm i Strategjisë së Lisbonës do të sillte, së bashku me Samitin e Selanikut, një qasje më aktive politike dhe ekonomike, që do të sillnin sfida të mëdha e mundësi të mëdha për përparim të gjithanshëm.
3. Politika e imigrimit, azilit dhe menaxhimit të kufijve të jashtëm, do të ishte një nga prioritetet jo vetëm të Presidencës greke, por edhe të politikës greke në përgjithësi dhe në vazhdimësi. (Parashikime shumë të qarta për çfarë po ndodh sot në këtë fushë)
4. Në Samitin e Selanikut u zhvillua një debat i thellë dhe konstruktiv mbi të ardhmen e Europës, për të ardhmen e institucioneve dhe të ardhmen e politikës së Unionit për zgjerimin. (Edhe kjo një pikë shumë e rëndësishme për sot).
5. Në fushën e marrëdhënieve me jashtë, në Samit do të debatohej me seriozitet për raportet me vendet e Ballkanit, por edhe të Mesdheut e të Lindjes së Mesme, Rusisë dhe vendeve të Detit të Zi. Do të vlerësohej si shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i BE-së me SHBA-në, për këto çështje e të tjera, në kuadër të dialogut transatlantik.
Forcimi dhe përparimi i Europës do të ishte i qëndrueshëm dhe efektiv, vetëm në lidhje të ngushtë me SHBA-në. Por do t’u kushtohej rëndësi edhe raporteve me Rusinë, dialogut dhe bashkëpunimit në çështjet më të mprehta të kohës.
Gjithashtu, në Samit do të vlerësohej rëndësia e marrëdhënieve të BE-së me Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë, si dhe me vendet e Kaukazit. Këto ishin shumë të rëndësishme për të ardhmen e tyre, në kuadër të realiteteve të reja europiane.
Por një rëndësi të madhe për ne kishte perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kroacisë, BosnjëHercegovinës, ish-republikës jugosllave të Maqedonisë, Serbi-Mali i Zi. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor do të ishte, pa asnjë dyshim, brenda BE-së.
Nënshkrimi i Traktatit të Athinës në prill 2003, do të ishte një inkurajim për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet adoptimit të standardeve të kërkuara. Dhe kjo do të ishte sfida për vendet e rajonit. Por, nga ana tjetër, do të ishte edhe një hap i qartë drejt një marrëdhënie të privilegjuar midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Do të flitej shumë në Samit që vendet e Ballkanit Perëndimor duhej të përfitonin nga përvoja e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, duke zbatuar kriteret e Kopenhagës, si dhe kushtet e SAP, të konfirmuara edhe në Samitin e Zagrebit të nëntorit të vitit 2000.
Dhe tanimë që në Selanik, në Samit, po bëhej “bilanci” i Presidencës greke, dilte shumë qartë angazhimi i Greqisë dhe rezultatet pozitive të arritura në procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Do të flitej me theks të veçantë për përshpejtimin e liberalizimit të vizave për vendet e Rajonit. Dhe kjo, pa dyshim, ishte e lidhur ngushtë me luftën kundër krimit të organizuar, trafikut, korrupsionit por edhe forcimit të regjimit të vizave.
Nuk mund të rri pa shënuar se Presidenca greke e BE-së i kushtoi një rëndësi shumë të madhe angazhimit të përbashkët të vendeve të BE-së, por jo vetëm atyre, në luftën kundër terrorizmit. Dhe nëse flasim për vitin 2003, sot pas 15 vitesh, do të shohim qartë një vizion të drejtë dhe një preokupim serioz, që meriton, me çfarë po ndodh sot, një vlerësim të veçantë. Presidenca greke e BE-së do të kërkonte që lufta kundër terrorizmit të shihej shumë më mirë, si një proces kompleks, me dimension të gjerë ushtarak, ekonomik, politik, kulturor etj.
Do të kërkohej nga qeveria greke një strategji globale për të luftuar terrorizmin. Samiti do t’u kërkonte vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i kushtonin një kujdes të veçantë çështjeve që lidheshin me edukimin dhe promovimin e tolerancës, të bashkëjetesës etnike dhe fetare, të plotësimit të të drejtave të minoritetit etj. Samiti i Selanikut u ndal gjerësisht edhe në çështjen e implementimit të plotë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe në mbështetjen e politikës së UNMIKut “Standarde para statusit”.
(Natyrisht, për BE-në kjo ishte gjuha që përdorej për Kosovën 14-15 vjet më parë, gjuhë që do të evoluonte me teza e koncepte të reja, deri në pranimin dhe njohjen e Pavarësisë në vitin 2008, pra, 5 vjet më vonë.) Vetë pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në këtë Samit do të përbënte një pikë kthese, apo edhe një shtysë shumë të rëndësishme në qëndrimin e mëtejshëm të BE-së, por edhe të komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi, ndaj Kosovës.
Ishte e qartë se hapat do të ishin graduale dhe drejt statusit të ardhshëm – Pavarësisë. Ishte shumë e qartë se kthim mbrapa nuk mund të kishte. Në Samit, në takime të veçanta me kryeministra apo presidentë të vendeve pjesëmarrëse, Kryeministri Fatos Nano por edhe presidenti Moisiu, janë ndalur shumë në çështjen e Kosovës.
Dhe kontributi i tyre, edhe në Samit, ishte i veçantë dhe shumë i qartë. Kryeministri Nano, ndërmjet të tjerëve, për çështjen e Kosovës, është ndalur shumë me kryetarin e Komisionit Europian, Romano Prodi, me kancelarin gjerman Shröder, me Kryeministrin italian Berluskoni, me kryeministrin e Greqisë Simits me komisionerin Patten e me të gjithë homologët e tjerë, me të cilët bisedoi.
Kancelari gjerman Shröder, në takimin me Kryeministrin Nano, në këtë pikë do të linte të kuptohej shumë qartë së pavarësia ishte e ardhmja e Kosovës…
“Të gjitha rrugët atje na çojnë”, do të shprehej Shröder, “por le të punojmë për të arritur çdo gjë hap pas hapi. Kështu punuam me SHBA dhe aleatët tanë perëndimorë dhe për çlirimin e Kosovës me angazhimin historik të NATO-s…”.
Kancelari Shröder do të kërkonte në mënyrë të veçantë nga faktori politik në Kosovë respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit serb si dhe kthimin pa probleme të atyre që ishin shpërngulur, kryesisht të minoritetit serb. Edhe gjatë punimeve të Samitit, por edhe në takimet e udhëheqësve shqiptarë me partnerët europianë, vlerësohej fakti se pranimi i 10 vendeve anëtarë të rinj të BE-së vitin e ardhshëm, duhet të ishte një inkurajim i madh për vendet e Rajonit, edhe drejt përafrimit të legjislacionit të BE-së.
Dhe prandaj do të duhej të merrte shumë rëndësi bashkëpunimi midis vendeve të Rajonit, në fushën politike dhe ekonomike në radhë të parë. Dhe ky bashkëpunim dhe kooperim nuk do të mund të arrihej si duhet pa bërë hapa të qëndrueshëm drejt pajtimit (që edhe sot po theksohet me forcë, e veçanërisht me shumë forcë nga Kancelarja Merkel që nga Procesi i Berlinit e në vazhdim). Edhe takimet e veçanta të Presidentit Moisiu dhe të Kryeministrit Nano me Presidentin e Greqisë, Stefanopolous, dhe Kryeministrin Simitis ishin vërtet shumë miqësore, por mbi të gjitha bisedimet midis tyre i përshkoi një frymë e vërtetë europiane.
Dhe Shqipëria e Greqia e kishin zgjedhur rrugën e tyre: ajo ishte rruga e miqësisë midis popujve tanë, rruga e bashkëpunimit në çdo fushë, rruga e së ardhmes. Këto nuk ishin (e nuk janë as sot) thjesht slogane. Janë vizion, janë guxim për të parë përpara, janë kompromis, mirëkuptim, dialog, marrëveshje… Do të bënte një “përshtypje” të madhe te përfaqësuesit e shtypit tonë dalja e përbashkët e presidentit me kryeministrin.
Dukej se për marrëdhënien mes tyre nuk kishin çfarë të raportonin, si deri disa ditë më parë. Nuk kishte asnjë “shteg” për hamendësime apo për atmosferë të “ftohtë” midis tyre. Të paktën këtu në Greqi, në Samitin e BE-së… Samiti i Selanikut i Presidencës greke të BE-së do të përbënte vërtet një ngjarje me peshë shumë të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën euroatlantike të tyre.
Do të përbënte edhe një ngjarje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, jo vetëm në planin e të ardhmes europiane të saj, por edhe në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.
Ato do të njihnin në muajt e mëpasshëm një përparim të dukshëm: do të sundonte edhe më shumë se më parë fryma europiane e bashkëpunimit. Dhe tek kujtoj atë periudhë shumë të ngjeshur e plot ide të Presidencës greke, nuk mund të mos shënoj këtu kontributin e veçantë në çështjet e Ballkanit Perëndimor të ambasadorit Aleksandros Mallias, drejtor për rajonin në MPJ. Do të bashkëpunoja jo vetëm gjatë Presidencës, por gjithnjë shumë ngushtë me ambasadorin Mallias dhe do të kishim një mirëkuptim të hapur, miqësor, derisa mori detyrën ambasadorit të Greqisë në SHBA.
Samiti i Selanikut, edhe sot pas 15 vitesh, mbetet shumë i rëndësishëm dhe pse jo edhe si një pikë serioze referimi për shumë e shumë probleme që lidhen me të ardhmen euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, teza, qëndrime, ide dhe konkluzione të Presidencës greke të BE-së dhe të Samitit të Selanikut, janë edhe për sot një axheendë e qartë rrugëtimi, por edhe përgjegjësie për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe në mendimin tim, Samiti i Selanikut do të ishte në vetvete edhe një kontribut i dukshëm për vetë Bashkimin Europian dhe strukturat e tij.
Greqia e afroi më shumë Brukselin me vendet tona ballkanike, u bë si një urë lidhëse më funksionale. Pse jo shumë e shumë çështje, të shtruara 15 vjet më parë, ishin, në njëfarë mënyre, edhe një “mësim” për Brukselin, për më shumë vëmendje ndaj Rajonit, për të mos e lënë atë të “hallakatet” mes përplasjeve.
Dhe sot, në vitin 2018, kur shohim të gjithë se Europa ka probleme, si kurrë më parë, që nga Paslufta e Dytë Botërore, Samiti i Selanikut ka qenë, natyrshëm, edhe një paralajmërim për më shumë përgjegjësi, për më shumë Europë, për më shumë marrëdhënie të qëndrueshme transatlantike.
Ndaj Samiti i Selanikut, edhe pas 15 vitesh, është apel, apel për Europën, për të ardhmen, për përgjegjësitë politike, për vendosmërinë për të shkuar përpara, për kursin e reformave, për standardet. Europa fillon te shtëpia jote… (Dhe sa larg, sa i vakët e i dobët ishte Samiti i verës në Bullgari, në krahasim me atë të Selanikut në Greqi, 15 vjet më parë. Dhe ky nuk ishte thjesht një fakt! Jo, kjo flet për përgjegjësi të BE-së …)/Panorama/m.j