Shqipëria do të jetë me ndryshime në formacion për takimin miqësor kundër Estonisë, që do të luhet të hënën në stadiumin “Air Albania”.
Trajneri Edi Reja ka vendosur që 11 lojtarë të largohen nga grumbullimi për sfidën ndaj përfaqësueses balltik, e të aktivizojë emra të rinj.
Italiani ka lënë të lirë një pjesë të mirë të titullarëve që u aktivizuan në dy takimet e Ligës së Kombeve ndaj Islandës dhe Izraelit.
Por ai ka ftuar pesë emra të rinj për miqësoren që janë Arbnor Muçolli, Jon Mersinaj, Enis Çokaj, Simon Simoni dhe Kevin Haveri.
Qëllimi i italianit është që të t’i japë hapësirë futbollistëve që nuk janë aktivizuar në dy ndeshjet e Ligës së Kombeve si edhe për të provuar sa më shumë të rinjtë.
Në dy takimet e fundit në Grupin B2, kuqezinjtë morën vetëm 1 pikë e janë në vend të fundit.
Përballja me Estoninë do të jetë një mundësi e mirë për futbollistët e rinj për t’i treguar Rejës se e meritojnë një vend në kombëtare.
/a.r