Nga takimi i parë nga afër me Rezartën, bashkëshorten e tij të ardhshme, Franci kujton vetëm që ishte “më e bukura për sytë e tij”. Pas njohjes së tyre në rrjetet sociale, mundi të kalonte me të 10 ditë në Itali, ku Rezarta jetonte dhe të përcaktonin disi të ardhmen e tyre. në këtë moment, rrëfen Franci në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan, për rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, dëshira nuk mungonte për të pasur një jetë së bashku, por mundësitë financiare ishin të kufizuara.
Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që ju vendosët të jetonit bashkë?
Franci: Pasi flisnim më shumë akoma, pasi shihnim mundësitë e mia që këtu në Shqipëri, edhe pse punoja fort, nuk ia dilja dot. Ishte periudhë që ishim pak dobët ekonomikisht, nuk arrinim të bënim dot dy lekë bashkë dhe nuk kisha mundësi të bëja diçka për martesën sepse jo se po vdisnim për bukë, por nuk ishte mundësia për të krijuar një familje ose të vinte ajo nga Italia, të krijonim familje këtu. Pasi folëm, erdhi Rezarta në janar, folëm që do martoheshim…
Ardit Gjebrea: Bëtë dasmë?
Franci: Jo, për këtë kam ardhur këtë që e kam peng.
Ardit Gjebrea: E ke peng këtë?
Franci: E kam peng dhe për këtë zgjodha programin sot që t’i bëj një surprizë, t’i jap një mesazh dhe ta falënderoj.
Edhe pse nuk është aspak natyrë romantike, Franci sot dëshiron t’i japë çfarë nuk ka mundur dot bashkëshortes së tij. Madje, në një moment, kur gjendja ekonomike e tij nuk ishte ende e mirë, kujton një sakrificë kur është përpjekur ta kënaqë sadopak Rezartën.
Franci: Nuk është se kisha shumë t’i ofroja, ta nxirrja, madje mami shiti edhe një unazë timen, me flori të bardhë që kam pasur dikur, diku te 70 mijë Lekë për ta nxjerrë për darkë dhe për t’i bërë një dhuratë modeste.
Ardit Gjebrea: Ah, ku e kemi atë unazën, ta kishim gjetur, ta kishim prapë.
Mamaja e Francit: Do kemi gjëra më të bukura në jetë.
Ardit Gjebrea: Të dhembi ajo unazë kur e shite?
Mamaja e Francit: Më dhembi, por edhe u gëzova shumë, shumë sepse ne kaluam një fatkeqësi të vogël, jo jetë njeriu, por një gjë tjetër që ishim shumë të mërzitur dhe Rezarta na ka ardhur në kohën dhe momentin më të bukur dhe të vështirë të jetës tonë.
/a.r