Nga ARTUR AJAZI
Ne jemi mësuar, ndoshta e kemi “genetike”, ku çdo gjë do ta bëjmë me bujë. Lufta ndaj korrupsionit me bujë, lufta ndaj krimit me bujë, lufta ndaj informalitetit me bujë, miratimin e reformës në drejtësi me bujë, shkarkimin e presidentit me bujë, zgjedhjen e presidentit të ri me shumë bujë, fushatat elektorale me bujë, dhe nuk kanë fund gjërat që bëjmë dhe nuk bëjmë sërish me bujë. Jehona e çdo veprimi dhe kundërveprimi, na shëqëron me bujën e madhe, me zhurmën e madhe, me kundërshtitë e pakuptimta pasi në fund, biem në “ujdi” dhe në rresht për një, miratojmë dhe zbatojmë çdo gjë të diktuar. Ditët e fundit, shoh se dalin në deklarata shtypi drejtues të Policisë Shtetit në qendër dhe rrethe, japin rezultate të “operacioneve policore për kapjen e personave të shpallur në kërkim”. Dhe ajo që bie në sy, mbetet mungesa e përgjigjes së tyre lidhur me “moskapjen e të shumëkërkuarve” duke u shprehur se “operacionet vazhdojnë”. Mjafton të themi se, Policia e Shtetit të Italisë, për kapjen e të shumëkërkuarve, punon intensivisht, me mjete dhe aparatura të sofistikuara natyrisht, i regjistron, monitoron, dokumenton atyre gjithçka, dhe pastaj arrestimi dhe dënimi i tyre, janë rezultati konkret dhe i pakontestueshëm. Tek ne “rezultati” del pa kryer mirë operacionin Policia e Shtetit. Kemi mangësi të theksuara profesionale. Kemi mosmarrëveshje të hapura mes institucioneve Prokurori-Polici-Gjykata, ç’ka sjell dhe sfumimin e “rezultateve”. Kjo ndodh edhe në jetën politike, me zhurmë edhe më të madhe.Zhurmë e madhe për inceneratorët, zhurmë e madhe për arrestimet e ish-ministrave dhe deputetëve, zhurmë dhe debate në çdo seancë të Parlamentit për “non-grata”-t, për ligjet që rregullojnë marrëdhëniet mes qeverisë dhe kompanive private në kohë krize. Kacafytje dhe gjithçka e pakuptimtë, për të justifikuar rrogën e majme të deputetit, politikanit, apo zyrtarit të lartë. Dikur ish-ambasadorja e SHBA-së në Tiranë zonja Mariza Lino shprehej se “ajo që konstatoj me ju shqiptarët është fakti se, çdo gjë normale për ne amerikanët, juve ju duket anormale, dhe çdo gjë normale për ju, ne amerikanëve na duket anormale”.Po pse kjo ndjesi, e cila duket sikur ndan dy botë, në të qytetëruar dhe të paqytetëruar. Ka 30 vjet që ambasadorët (kryesisht ata amerikanë dhe europianë) ndajnë sherret mes partive, mes deputetëve, mes kryeministrit dhe presidentit, mes qeverisë dhe shoqërisë civile, dhe kjo gjë ka gjasa të vazhdojë edhe për 30 vjet të tjera. Më tepër se me punët tona, ne merremi me punët e tjetrit. Më tepër se me hallet dhe problemet tona, ne merremi me hallin dhe problemin e tjetrit, duke harruar se kemi shumë për të bërë për vehten dhe njerëzit tanë. Ata që duhej të ishin rregullatorët e çdo situate sot në Shqipëri (politikanët) janë më tekanjozët, dhe shpesh japin shembullin e keq, edhe në momente delikate për vendin dhe qytetarët. Ndoshta nuk është “kusuri” i tyre, por i mungesës së traditës në jetën politike, parlamentare, institucionale, qytetare etj. Kjo sepse edhe para 1990, “buja” dhe propoganda shoqëronte kudo atë sistem, por në kushte të tjera.