Marklen Haka, një prej emrave mjaft të njohur të botës së krimit në Fushë-Krujë, i ka shpëtuar mesditën e djeshme (8 qershor 2022) mrekullisht një atentati të dytë të organizuar ndaj tij, brenda një periudhe prej dy vite e gjysëm.
I pari ku Haka është sulmuar me breshëri automatiku daton në 21 shtator 2018 në Nikël, ku në derë të shtëpisë ai është plagosur, ndërsa ka mbetur e vdekur halla e tij, Shpresa Basha.
Ndërsa ditën e djeshme, në sulmin e dytë me armë, Haka ndodhej brenda një makine tip “Golf 6” jo i blinduar, dhe po kthehej nga Tapiza në drejtim të fshatit të tij në Nikël.
Ai u ka treguar oficerëve që po hetojnë këtë ngjarje, se përmes pasqyrës së mjetit kishte vënë re një makinë që po e ndiqte, por nuk e ka vlerësuar situatën, se mund të goditej befasisht me qëllim eleminimin e tij.
“…Sapo kam hyrë në rrugën e Niklës, aty kam ndaluar një moment pasi më ka folur dhe jam përshëndetur me djalin e xhaxhait tim…teksa kam qëndruar, nga makina që kisha nga pas dhe që e kisha vënë re disa herë përmes pasqyrës, është qëlluar me armë drejt meje në një distancë të vogël…”-mësohet ti ketë thënë hetuesve Marklen Haka, raporton Ora News.
Breshërive të një automatiku MP5 9 milimetërsh, armë kjo që përdoret shpesh nga Garda e Republikë, Haka ka mundur ti shpëtojë mrekullisht.
Në proces-verbalin e administrimit të provave, grupi i hetimit ka vlerësuar se drejt Hakës, është qëlluar plot 17 herë, kjo duke ju referuar dhe numrit të gëzhojave të sekuestruara në vendgjarje.
Objektivi i qitësve, që deri në këtë fazë të hetimit besohet nga policia lokale se kanë qënë me pagesë, ka marrë një plagë në pjesën e nofullës, dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa autorët në këtë atentat kanë përdorur një automjet të tipit “Audi A7”, silueta e të cilit është kapur nga disa kamera të bizneseve të zonës, që ndodhen mes Tapizës dhe Niklës.
“Audi A7” është afruar paralel me makinën e Marklen Hakës, dhe njëri nga personat ka nxjerë armën nga xhami i makinës dhe ka qëlluar. Nga plumbat makina ka marë dëmtime të shumta, madje disa prej tyre kanë depërtuar dhe në ambjentet e një lokali aty pranë.
Pas largimit të autorëve, Marklen Haka, është ndihmuar nga djali i xhaxhait të tij, duke u larguar me makinën tip “Golf” drejt Niklës dhe qëndruar në oborrin e shtëpisë së Flamur Çangut, vëllait të Nazmi Çangut. Kur ka shkuar policia dhe ka kryer kontroll, në makinë nuk janë gjendur sende apo lëndë të paligjshme. Me një mjet të dytë, Haka është transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Policia dhe prokuroria e Krujës, e lidhin ngjarjen e sotme si një atentat të mirëorganizuar që mbeti pa një finalizim në fund. Goditja besohet se është kryer me pagesë dhe ka shumë gjasa se lidhet me hasmëritë dhe ndasitë mes grupimeve kriminale në këtë zonë.
Një pistë hetimi e grupit hetimor është se atentati ndaj të riut dyshohet se është bërë për shkak të një hasmërie të vjetër mes familjes Haka dhe Zeneli, por thuajse asgjë nuk është konfirmuar në këtë drejtim.
Haka u arrestua nga policia e Tiranës, si personi kryesor i dyshuar në 13 qershor 2011 të vrasjes së biznesmenit të kromit, Nadien Zeneli. Vrasja e tij është kryer, pasi Haka kishte ngritur dyshime të forta se ai ishte i përfshirë në vrasjen e vëllait të tij, Roland Haka, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004. Por më pas u la i lirë pasi nuk kishte prova.
Gjithashtu një pistë tjetër ku po hetohet është edhe ajo e përplasjes mes grupeve kriminale. 31-vjeçari është pjesë e grupit të Niklës, dhe ndaluar në 12 shtator të vitit 2018, për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, duke u dënuar më pas në Prill të 2019 nga gjykata e Krujës me 1.6 vite burgim.
Në 6 janar 2022, Haka arrestohet sërisht nga efektivët e RENEA-s, por ndryshe nga sa referoi dosjen policia në prokurori për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”, Haka në fund u akuzua për “Moskallëzim krimi”, pasi arma e sekuestruar nuk ishte e tij.
/a.r