Sot Parlamenti pritet të miratojë ngritjen e komisionit bipartizan për Reformën Territoriale, një kërkesë kjo e opozitës prej disa vitesh. Sipas PD-së, Reforma Territoriale që u krye në vitin 2015, në një dakordësi PS- LSI, ishte një reformë me karakter politik dhe jo territorial, për qëllime elektorale.
PD-ja, me hartën e re territoriale që pretendon të hartohet në Komisionin për Reformën Territoriale, kërkon shtimin e numrit të bashkive dhe heqjen e nocioneve të qarkut dhe ndarjen territoriale të vendit në rajone. Sipas draftit të PD-së, nga 61 bashki, numri i tyre duhet të shkojë në 90 të tilla.
Rajonet, sipas PD-së, do të kenë edhe ndarje brenda tyre. Ato mund të jenë gjashtë të tilla, por, megjithatë, kjo do të varet nga diskutimet në komisionin për Reformën Territoriale. Sipas draftit të PD-së, me ligjin e vitit 2000, u krijuan qarqet dhe u shkrinë rrethet, por ngelën si nocione administrative.
“Mund të jenë 6 rajone, që nuk do quhen qarqe. Ka disa qarqe që janë fiktive. Nuk bëjnë asnjë punë, aq sa askush nuk e di madje dhe se kush janë kryetarët e këshillave të qarqeve. Paralelisht ligji duhet të parashikojë edhe si si do zgjidhen kryetarët e rajoneve, guvernatorët, nëse do të quhen të tillë. Duhet të ndryshojë numri i njësive vendore. 1/3 e tyre të quhen bashki rurale. Edhe Tirana do të duhet të ketë një zvogëlim”, thuhet në draftin e PD-së.
Partia Demokratike ndërmori nismën për rishikimin e Reformës Administrativo-Territoriale, mbështetur mbi reagimet e konkluzioneve të raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, progres raporteve vjetore të BE-së, rekomandimeve të donatorëve të huaj në Shqipëri, ku sipas PD-së, që të gjitha së bashku bien dakord se Reforma Administrativo-Territoriale dhe ligji për Vetëqeverisjen Vendore kanë nevojë urgjente për një analizë dhe rishikim të thelluar.
Opozita pretendon se pavarësisht se Reforma Administrative-Territoriale ishte e domosdoshme, ajo nuk reflektoi plotësisht parimet e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore.
Kontestimet e PD-së
Partia më e madhe e opozitës pretendon se Reforma Territoriale në zanafillën e vet synoi thellimin e decentralizimit, por, sipas saj, koha tregoi se e thelloi edhe më shumë centralizimin, pasi u rrit varësia dhe kontrolli nga qeveria qendrore.
Një pikë tjetër që kundërshton PD-ja është se Reforma Territoriale synoi vetëqeverisjen lokale, por, kryetarët e bashkive, nga njëra anë kanë më shumë përgjegjësi, por nga ana tjetër, kanë më pak kompetenca, pasi për shërbimet e deleguara, vendosin ministritë.
PD pretendon se Reforma synoi simetri në ndarjen e territorit, por, sipas saj, prodhoi asimetri demografike, ekonomike me kufijtë e bashkive, pasi gati dy të tretat e bashkive janë ndarë sipas interesit elektoral dhe politik të PS-së, duke u shkelur detyrimet kushtetuese dhe kriteri i popullsisë minimale, kriteri gjeo-kulturor, traditat historike administrative të zonave, etj.
Shkrirja e komunave, sipas PD-së, do të sillte ulje te shpenzimeve duke reduktuar numrin e punonjësve, por ky veprim e çoi numrin e tyre në gati 60 mijë, nga 22 mijë që ishte në 2015. PD pretendon se për shkak të bashkimit të Bashkive dhe Komunave në një bashki të vetme, banorët e zonave rurale janë braktisur dhe nuk marrin asnjë shërbim, duke sjell pasoja në jetën e tyre edhe pse banorët e zonave rurale paguajnë të njëjtat taksa dhe tarifa vendore.
“Këto politika të gabuara kanë nxitur braktisjen e fshatit, por edhe të ish periferive urbane me industri te falimentuar“, thuhet në draftin e PD-së.
/a.meta/ rtsh