Flakët që kishin përfshirë ishullin e Sazanit prej katër ditësh u shuan pasditen e sotme, falë ndihmës së autoriteteve greke me një avion ujëhedhës, si dhe të trupave tokësore shqiptare.
Ministri Niko Peleshi publikon pamjet e një sistemi të ri që është përdorur për herë të parë në Shqipëri, një sistem amerikan i fluturimit pa pilot, i cili ka monitoruar nga ajri të gjitha vatrat e zjarrit.
“Sot kemi përdorur për herë të parë Sistemet e fluturimit pa pilot (UAS) të tipit “PUMA RQ-20B”, për monitorimin e vatrave të zjarrit në Sazan (përveç përdorimit ushtarak), mundësuar për Forcën tonë Tokësore, nga partneriteti strategjik me SHBA.
Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të SHBA. Falenderim për efektivin e mirëtrainuar të Forcës Tokësore dhe komandantin gjeneral Arben Kingji”, shkruan ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe ndan pamjet e mëposhtme të sistemit të ri të fluturimit./m.j