Të gjithë telefonat e mençur dhe tabletët do të duhet të përdorin karikues të përbashkët të energjisë elektrike si rezultat i një marrëveshjeje të arritur të martën nga Bashkimi Evropian.
Plani i miratuar do t’i detyrojë të gjitha kompanitë, e më së shumti Apple Inc., që të prodhojë telefona, tabletë dhe kamera digjitale që do të përdorin karikues USB-C, kanë bërë të ditur negociatorët, raportoi Reuters të martën.
Plani i bërë i ditur vitin e kaluar, është aprovuar të martën dhe parashihet t’ua kursejë konsumatorëve rreth 250 milionë euro çdo vit, sipas Komisionit Evropian. Parlamenti Evropian dhe 27 vendet anëtare të BE-së duhet ta nënshkruajnë marrëveshjen.
Prodhuesit e telefonave dhe tabletëve do të duhet të pajtohen deri në vjeshtën e vitit 2024 për këtë. Laptopët do të kenë më shumë kohë për të bërë ndryshimin, me negociatorët që u japin prodhuesve të laptopëve 40 muaj afat, pasi rregullat e reja të hyjnë në fuqi.
“Një karikues i përbashkët është një sens i përbashkët për shumë pajisje elektronike në jetën tonë të përditshme. Konsumatorët evropianë do të jenë në gjendje të përdorin një mbushës të vetëm për të gjitha pajisjet e tyre elektronike portative – një hap i rëndësishëm për të rritur komoditetin dhe për të reduktuar mbetjet”, tha në një deklaratë komisioneri i Tregut të Brendshëm, Thierry Breton.
Propozimi fillimisht zemëroi kompaninë Apple, e cila tha se do të reduktonte inovacionin. Por kompania aktualisht po teston modelet e ardhshme të iPhone që zëvendësojnë portën aktuale të karikimit Lightning me lidhësin më të përhapur USB-C.
Modelet aktuale të laptopëve, Apple përdorin tashmë mbushësin USB-C.
g.kosovari