Ka ndërruar jetë në spital 43-vjeçari Kledi Koka i cili u godit me thikë nga Genti Golemi, gjatë një konflikti të çastit në Sarandë. Koka kishte marrë plagë të thellë në mushkëri dhe kishte humbur shumë gjak.
Nga Tirana u nis një helikopter për ta transportuar atë në kryeqytet, por i riu nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.
Tashmë trupi i 43-vjeçarit është dërguar në morgun e qytetit ku do të nënshtrohet ekzaminimeve mjeko-ligjore.
Dyshohet se shkak i sherrit është bërë vendosja e një varke në limanin e qytetit bregdetar. Genti Golemi qëlloi me thikë në shpinë 43-vjeçarin Koka dhe u largua nga vendngjarja.
Por vetëm për pak minuta, pasi policia e Sarandës bëri të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Golemi, me profesion peshkatar, ka qenë më parë i dënuar në Greqi për trafik droge dhe në Sarandë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Në vitin 2006, Golemi është kapur me 400 gramë marijuanë, kapsolla detonatorë dhe fitil zjarrpërsjellës.
AUTORI
Sarandë/Informacion shtesë
Goditi me mjet prerës 43-vjeçarin, i cili ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të marra, vihet në pranga autori i dyshuar.
Në vijim të informacionit paraprak, përmes të cilit njoftuam se, në shëtitoren e Sarandës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi J. G. goditi me mjet prerës, në kurriz, shtetasin K. K., 43 vjeç, sqarojmë se, si pasojë e plagëve të marra shtetasi K. K. ka ndërruar jetë.
Brenda një kohe të shkurtër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit J. G.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thika), me të cilën dyshohet se shtetasi J. G. ka goditur shtetasin K. K.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.