Nga ARTUR AJAZI
Nuk është në pushtet Ylli Bufi, Fatos Nano, as Pandeli Majko, por kryeministër i vendit është Edi Rama. Ndryshimi mes tyre, vendosmëria që ka Rama për të mos u kthyer dhe thyer ndaj çdo presioni. Po ta shikosh dhe ndjekësh me kujdes “opozitën” që po bën sot Sali Berisha, është e njëjtë me atë të 1992, 1998 deri në 2005, apo dhe pas saj. Deklarata presioniste, akuza dhe denoncime pa “doganë”, shpikje dhe shpifje ndaj atij që ka pushtetin, dhe nxitje të protestave të dhunshme. Këto të fundit në fakt nuk “pinë ujë” as kur ishte Basha kryetar partie, dhe Berisha e di mirë se, Edi Rama nuk ka gjasa të tërhiqet nga e tija. Por le të kthehemi paksa te Berisha kryetar partie sot. Ai drejton me të njëjtët njerëz, me të njëjtën praktikë dhe të njëjtin mentalitet që drejtoi për 20 e kusur vjet, atë parti. Ai drejton me të njëjtat mendime, nuk i ndahet procesit të “rrëzimit të qeverisë me rrugë të dhunshme”, nuk rresht së akuzuari kryeministrin çdo 4-5 orë me deklarata shtypi apo përmes zëdhënëses së tij, nuk i ndahet shpirti nga “garda e vjetër”. Ata i mori në Këshillin Kombëtar, në kryesi, në zyrat e partisë, ata ka ndërmend ti ketë “kamikazë” për të organizuar protestat, akuzat, denoncimet, avokatinë e tij, etj..Por pavarsisht se Berisha u bë si të thuash “kryetar i Partisë Demokratike”,gjykatat do të jenë “vula” e çdo veprimi ligjor dhe antiligjor që ka bërë ai deri sot. Më kryesore është se, Berisha nuk mund të pengojë më asgjë në proceset zhvillimore të vendit, në proceset reformuese të politikës, ekonomisë, kulturës, turizmit, marrëdhënieve ndërkombëtare, etj…Ai do të mbetet “muzeu” i të shkuarës në një prej anekseve të politikës shqiptare, dhe kaq. Berisha i humbi shansin asaj partie të reformohet, të ringrihet, të ribashkohet, të bëhej forcë e madhe në opozitë, dhe e katandisi në skalion antiamerikan, antieuropian, thjesht si një “brigadë sulmi” ndaj pushtetit për interesin e kryetarit PD. Shqipëria sot, nuk është më ajo e 1992, as e 1997, 1998, apo 2005. Ky vend po shkon me siguri absulute drejt Bashkimit Europian, duke qenë anëtar dinjitoz si asnjëherë tjetër i NATO-s. Si mund të besosh sot, një ish-lider të dorëhequr, të shpallur “non-grata” nga SHBA, dhe të paafruar nga faktori ndërkombëtar, se “do të vijë në pushtet” ? Eshtë sa qesharake aq edhe absurde.Përkohosisht Berisha u ka mbyllur rrugën drejt karrierës politike një brezi që besoi se “PD po rihapej, po ringrihej”. Kjo është skandaloze kur mendon, se si një ish-kryetar rikthehet dhunshëm, rimerr selinë, ribëhet kryetar partie, përzë kundërshtarët, dhe më keq akoma, nuk lë të rinjtë të gjejnë vehten e tyre brënda asaj partie. Berisha ka vendosur të qëndrojë “stoik” në zyrën e kryetarit deri sekondën e fundit. Ai nuk e koncepton kurrë vehten jashtë asaj partie, aq më tepër pas 9 Shtatorit 2021, kur u përjashtua zyrtarisht nga grupi saj parlamentar, pas “mandatës” nga SHBA. Selia e asaj partie, duket sot më tepër se kurrë si “Kuba” e dikurshme e politikës shqiptare, si një muze antik, nga ku shumica e shqiptarëve, kanë ç’të shohin dhe mësojnë për të shkuarën. Ndoshta do tu vlejë për të mos gabuar kurrë më për të ardhmen…..