Presidenti Ilir Meta ka sqaruar procedurën ligjore me të cilin u nënshkrua dekreti i lirimit nga detyra të shefit të Shtabit të Përgjithshëm Bajram Begaj, gjë që i hapi rrugë zgjedhjes së tij në krye të shtetit në seancën e të shtunës.
I ftuar në Syri Tv, Meta sqaroi se dekreti u hartua në presidencë dhe u firmos prej tij në Turqi, në tokën e NATO-s.
“Në rast e Presidentit nuk jemi si në rastin e Kryeministrit ku delegohet firma te zëvendëskryeministri, neni 91 thotë se postin e kryetarit të Shtetit mund ta marrë Kryetari i Kuvendit vetëm kur Presidenti ndërron jetë ose është i pamundur të kryejë detyrën. Duhet të përcaktohet dhe me Gjykatë Kushtetuese dhe komision që presidenti është i pamundur.
E gjitha kjo është një spekulim dhe situata ka qenë shumë transparente. Ditën që është nënshkruar ky dekret, disa orë më përpara në Presidencë është administruar kërkesa e bërë nga Kryeministri për të liruar shefin e Shtabit nga detyra dhe bashkë me të dhe kërkesa e Shefit të Shtabit, pra Presidenca edhe kur Presidenti nuk është në zyrë funksionon edhe pse Presidenti është jashtë. Në bazë të kësaj kërkese, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, i thotë Presidentit që ka ardhur kjo kërkesë dhe Presidenti kërkon mendim si do veprohet në rastin konkret.
Në Tiranë, aty ku është zyra e Presidentit, Sekretari i Përgjithshëm harton dekretin, Presidenti e shikon këtë dekret, të hartuar në të gjitha detajet dhe e firmos. E dërgon në mënyrë elektronike si e parashikon dhe ligji. Kjo ka ndodhur në tokë të NATO-s.
Ka dy vula. Origjinali është përcjellë Presidencës aty nga erdhi. Këtu ke dy dokumente me vulën e Sekretares së Përgjithshme të Presidencës dhe bashkëlidhur me këtë thotë po ju përcjellim një kopje të dekretit të Presidentit dhe është vula e Presidentit që administron Sekretarja e përgjithshme. Vulën e mban Sekretarja e Përgjithshme, nuk e marr unë me vete në Stamboll”, tha Meta./m.j