Luftimet rreth Severodonetskut momentalisht përfaqësojnë “zonën më të nxehtë” të konfliktit në Ukrainë, thotë shefi i inteligjencës ushtarake të vendit.
Gjeneral Major Kyrylo Budanov pretendon se forcat e tij po i dëbojnë gradualisht trupat ruse nga qyteti i rëndësishëm lindor, pavarësisht “një avantazhi të dhjetëfishuar të armikut në artileri”.
Më herët ai deklaroi se situata ishte vështirësuar për trupat ukrainase atje pavarësisht avancimit gjatë ditëve të fundit.
Guvernatori rajonal i Luhanskut, Serhiy Haidai tha të premten se forcat ukrainase kishin rimarrë gjysmën e qytetit pasi forcat ruse në një moment kontrolluan rreth 80% të tij.
“Mbrojtësit tanë arritën të ndërmerrnin një kundërsulm për një kohë të caktuar, ata çliruan pothuajse gjysmën e qytetit. Por tani situata është përkeqësuar pak tek ne përsëri”, tha ai.
Civilët braktisin Donbasin
Pas muajsh lufte në Ukrainë, tashmë të gjithë e dinë urdhrin kur bëhet fjalë për largime nga qytetet e sulmuara prej rusëve: Paketoni një ose dy çanta (vetëm atë që mund të mbani), thuajini lamtumirë shtëpisë tuaj dhe ikni!
Tani është radha e Slovyanskut. Qyteti ishte shtëpia e 100 000 banorëve. Tani kanë mbetur vetëm 30 000 dhe numri vetëm ulet. Rrugët janë mbushur me njerëz që vetëm ikin me kokën ulur, ndërsa një grua qan pa pushim në krahët e partnerit të saj.
Këto janë pamje që hasen në të gjithë Ukrainën lindore. Ajo që e veçon Slovyanskun është historia e tij. Ishte këtu që separatistët e mbështetur nga Rusia nisën kryengritjen e tyre në 2014.
g.kosovari