Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë të hënën në oborrin e Kuvendit të Kosovës teksa kanë qenë duke protestuar në Prishtinë.
Para dyerve të këtij institucioni ka dalë Policia e Kosovës.
Protesta e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK) ishte parashikuar të mbahej para Kuvendit, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.
Pensioni i veteranëve është i njëjtë me pagën minimale në Kosovë, por në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të kësaj page, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës dhe se janë detyruar të dalin në protestë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
“Jemi injoruar nga institucionet e vendit dhe jemi detyruar që pakënaqësitë tona t’i shprehim në protestë”.
Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, do të diskutohet të hënën në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ai është miratuar nga Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti.
Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.
Shuma e pagës minimale në Kosovë është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Aktualisht, kjo pagë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.
Policia është detyruar sërish që të përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të cilët po vazhdojnë të mos largohen.
Më herët u raportua se edhe një zyrat policor është lënduar gjatë përballjes me protestuesit.
Pensioni i veteranëve është i njëjtë me pagën minimale në Kosovë, por në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të kësaj page, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve./REL
g.kosovari