Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 102-të. Disa shpërthime goditën kryeqytetin ukrainas Kiev gjatë mëngjesit të sotëm. Lajmin e bëri të ditur Kryebashkiaku Vitali Klitschko në Telegram.
“Disa shpërthime u dëgjuan në rrethet Darnytsky dhe Dniprovsky. Zjarret e shkaktuara tani janë duke u shuar”, tha ai.
Sipas informacioneve janë goditur objektiva civilë. Në orët e fundit, sirenat e alarmit kanë rënë në shumicën e qyteteve të vendit.
Ukraina kundërshton propozimin e Putinit për të zhbllokuar grurin që grumbullohet në portet e terminalit, pasi nuk pranon që ngarkesat të kalojnë përmes Bjellorusisë ose që ngarkesat të largohen vetëm nga portet e kontrolluara nga rusët.
OKB-ja nga ana tjetër po përpiqet të nisë negociatat për të parandaluar pasojat e ngërçit që të shkaktojnë një emergjencë ushqimore që do të prekte të gjitha vendet e varfra.
Luftimet vazhdojnë akoma në Severdonetsk. Kievi mohon që milicia pro-ruse të ketë pushtuar qytetin dhe përsërit se ata kanë rifituar pozicionet, por humbjet për ushtrinë ukrainase kanë filluar të jenë problem, raporeton “Corriere della Sera”.
Stërvitja 12-ditore e NATO-s në Detin Baltik fillon sot, në të cilën do të marrin pjesë 16 vende, duke përfshirë Suedinë dhe Finlandën: Aleanca do të nisë manovrat ushtarake në ujërat territoriale të Letonisë deri më 17 qershor për të testuar aftësitë kolektive të mbrojtjes.
Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar lidhur me armët e reja, dërguar nga SHBA në Ukrainë duke thënë se ushtria ruse do t’i shtypë “si arra”. Raporton “La Repubblica”
/e.d