Ish- anëtari i Këshillit Kombëtar Roland Bejko, ka komentuar dje procesin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe situatën në PD. Ai deklaroi në një studio televizive, se kryeministri Edi Rama do e marrë edhe institucionin e Presidencës. Sipas tij, institucioni i Presidencës nuk është ndonjë institucion me peshë sepse e ka zhveshur nga pushteti marrëveshja Rama- Berisha në vitin 2008. Teksa foli për situatën në PD, ai deklaroi se Berisha përveç retorikës politike nuk ka fuqi që të krijoj asgjë tjetër në PD, ndërsa tha se në PD ai është kthyer për të rregulluar hallin e tij personal. Sipas tij, janë 3 skenarë që mund ta nxjerrin PD nga kjo situatë.
-Zoti Bejko, si e keni parë procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, sepse tani jemi edhe thuajse në përfundim të procesit?
Mendoj se Rama nuk kishte nevojë për konsensusin e opozitës dhe bëri atë që ai di më mirë që të bëjë për të thithur audiencë nga njëra anë dhe nga ana tjetër, ai u kujdes shumë që opozita të vazhdojë që të ishte e përçarë dhe për këtë në fakt nuk është faji i Ramës, ai është në të drejtën e vet që të bëjë punën e tij me gjithë stafin sepse ai qëllim të parë ka natyrisht pushtetin dhe për këtë është investuar dhe do ti bëjë hyzmetin për ta ruajtur këtë pushtet dhe për ta zgjatur mandatin edhe me një tjetër mandat në qeverisje. Kjo e favorizon sherrin që ka opozita brenda saj dhe që i shërben Ramës. Përgjegjësi për kalimin e tre raundeve për zgjedhjen e presidentit të ri, ku opozita nuk ishte në gjendje që të kryente detyrat e veta kushtetuese do të thotë se ata pavarësisht tentativave të njërit grupit apo grupit tjetër, apo edhe të individëve parlamentar nuk mundën dot që ta bënim detyrën e tyre, kështu që në fund në mendjen e shqiptarëve kjo ngelet, pastaj se si u soll njëri grup, apo se si u soll grupi tjetër janë gjera brenda Partisë Demokratike.
-Opozita duket se nuk shkoj dot me një kandidatë të vetin, mendoni se pikët në këtë proces do ti marr Partia Socialiste?
Partia Socialiste më shumë se sa pikët do të zgjedh edhe presidentin. Është një institucion që Ilir Meta i dha një lloj identiteti. Mua më dha një shije të keqe zënka me ambasadoren amerikane në ditët e fundit të fushatës, më duket se na cenoi pak. Pjesa tjetër pastaj, Ilir Meta është një politikan që nuk ia dorëzoi presidencën Ramës, por bëri një lojë të fortë, megjithatë është koha ajo e cila do ta vlerësoj për mirë ose për keq, secili ka mendimin e vet. Edi Rama do e marrë edhe këtë institucion, nuk është ndonjë institucion me peshë sepse e ka zhveshur nga pushteti marrëveshja Rama- Basha në vitin 2008, është një institucion që ka më shumë një rol onorifik dhe pushtet real nuk ka. Ramës i duhet ky pushtet, s’ka asnjë humbje. Opozita është në sherr, ka një luftë të brendshme dhe kjo i përshtatet Ramës. Opozita është në disfunksionalitet të plotë dhe kjo prej Sali Berishës edhe pse tha se nuk do ta fus si problematik brenda Partisë Demokratike, ai jo vetëm që e futi brenda Partisë Demokratike, por edhe e çau Partinë Demokratike dhe e bëri atë disfunksionale, pra nuk kryen dot rolin e vet kushtetues si opozitë, pasi i gjithë fokusi për këto 8 muaj nga muaji shtator e këtej është përqendruar tek sherri i brendshëm, është folur dhe flitet vetëm për Berishën, Bashën dhe se kush do të vij në pushtet, legjitim, jolegjitim, i vërtetë, jo i vërtetë. Ky është një debat, i cili Ramës i intereson dhe Rama do ta ushqej debatin në Partinë Demokratike herë duke bërë sikur përkrah njërin grup, dhe herë duke bërë sikur i shkel syrin grupit tjetër.
-Pra ju mendoni se Rama po bashkëpunon me Berishën në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri?
Mbaheni mend, në fund presidenti mund të dal edhe dikush nga e djathta, i cili me pjesëmarrjen e grupit të Berishës aty mund të siguroj edhe 84 votshin që i duhet Ramës që ta kalojë në raundin e 4, sepse grupi Alibeajt ka deklaruar që nuk do të shkoj pasi i ezauruan të gjitha rrugët e dialogut me mazhorancën në momentin që u përpoq që të negocionte. Do na dali që Berisha bashkëpunon me Ramën duke marrë pjesë në votim në raundin e katërt. Berisha po e mban Ramën në pushtet përmes sherrit që ka futur brenda dhe si e keni vënë re, ka pasur një sherr për emrat e Kryesisë. Arsyeja e ndarjes së Partisë Demokratike është vetëm Berisha, sepse Basha ka disa muaj që është larguar dhe Partia Demokratike jo vetëm që nuk është bashkuar më shumë, por është ndarë edhe më shumë.
-Ka shumë persona në Partinë Demokratike që thonë se tani Partia Demokratike tani është duke u bashkuar, pasi ka një kryetar ka edhe një riorganizim. Si e komentoni?
Ata vazhdojnë që ti bien pianos, por e vërteta është aty, si e keni vënë re ose nëse e keni ndjekur ka pasur edhe një sherr të brendshëm mes tyre, tani për emrat e kryesisë dhe ajo zonja që erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u paraqit sikur ishte e dërguara e Trump-it dhe do të shpëtonte karrierën e Berishës dhe ka thënë disa të vërteta. Mua më ka ndodhur në vitin 2009 që kur kemi qenë në kongresin e Partisë Demokratike dhe Partia Demokratike ishte në pushtet në atë kohë dhe ka pasur një revansh të jashtëzakonshëm brenda Partisë Demokratike, grupi që ka qenë me zotin Olldashi dhe miqtë e tij kishin bërë një listë preferenciale të njerëzve të cilët do të votonin, jo vetëm kaq por më bie në dorë edhe një listë tjetër në të cilin thuhej se kë nuk duhej që të votoni. Pra, votoni kë të doni vetëm këta që janë në listë mos i votoni. E marr këtë listë dhe aty shoh që ishte edhe emri im, pra që në atë kohë projektohej se kush do të ishin emrat për pushtetin e ardhshëm. Shumë janë zhgënjyer nga Partia Demokratike, unë jo, sepse e kam thënë që në fillim që zoti Berisha nuk ndryshon dot, ai ashtu ka qenë dhe ashtu do të vazhdojë që të jetë, ai as kodin e sjelljes nuk e ndryshon dot. Këto figura që i janë bashkuar zotit Berisha janë po ato figura që kanë qenë mbështetës edhe të zotit Basha si janë: Vokshi, Spaho, Paloka e me radhë. Berisha nuk ndryshoj asgjë në Partinë Demokratike, dhe ai nuk ka një Parti Demokratike por ka një parti pronë private.
-Pjesa e partisë që kryesohet nga Alibeaj duket se nuk ndërmerr asnjë hap ligjor për të ndryshuar situatën në PD, as të marr një proces zgjedhor për të pasur një kryetar të zgjedhur. Si e shihni ju këtë?
Mesa di unë ata janë në pritje të Gjykatës së Apelit, pra këtu bëhet fjalë për legalitetin, ndryshe nga zoti Berisha i cili nuk duroi dot që gjykata të shprehej për ti dhënë atij të drejtë ose jo, por ndërmori aktet më të shëmtuara në politik që ushtroi edhe dhunë për të marr partinë. Alibeaj dhe të tjerët mendoj se janë duke pritur vendimin e Apelit. Unë kam zgjedhur që të mos jem në krah të Berishës, sepse Amerika ka paralajmëruar se nuk do të ketë më asnjë marrëdhënie me Partinë Demokratike nëse atë e merr Berisha, dhe nuk mund të jem me një lider që Partinë Demokratike po e mban të izoluar.
-Cila mund të ishte një zgjidhje sipas jush, për ta nxjerr Partinë Demokratike nga kjo situatë në të cilën ajo ndodhet aktualisht?
Mund të ketë disa skenarë të ndryshme. Vend për bashkim ka nëse largohet vetëm Berisha, por ai e bënë me dashje këto dhe i kalkulon mirë të gjitha. Në Partinë Demokratike ka nga ata që mendojnë se janë idealist dhe me një figurë si Berisha mund të mundin Ramën. Një skenar tjetër, është që Berisha ta mbaj këtë parti dhe ashtu si do të jetë e izoluar ose mbase edhe e përjashtuar nga PPE të futet në zgjedhjet lokale, natyrisht do të marr një rezultat katastrofik. Skenari i 3 është që të Partia Demokratike të ndahet dhe të krijoj një grup tjetër që nuk duan që të bashkohen me Berishën dhe nëse krijohet një forcë e re dhe të ketë 3 gjera që i mungon asaj pjese të Partisë Demokratike që mbështet Berishën. Të gjithë e shohin veten si kryetar dhe nuk bashkohen që të krijojnë një forcë të re, mendoj se nëse do të bëhet një strukturë politike pa Berishën do të ketë të ardhme dhe mendoj se vendi ka nevojë për këtë gjë. Shqiptarët po largohen nga vendi sepse nuk kanë alternativa të tjera. Opozita nuk është vetëm Berisha, por është edhe një qytetar i thjesht që është kundër qeverisë. Berisha përveç retorikës politike nuk ka fuqi që të krijoj asgjë tjetër, sot në PD është kthyer për të rregulluar hallin e tij personal.
/a.r