Një tjetër luftë në PD, jo vetëm ajo për Selinë blu e nisur që ditën kur Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar por tashmë ka një luftë për pushtet edhe brenda Komisionit të Rithemelimit..
Evi Kokalari prej ditësh tashmë ka dalë me një qëndrim publik, në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Foltores, dhe ka sulmuar ashpër Belind Këlliçin i cili doli më i votuari. Në një postim të bërë sot në rrjetet sociale, Kokalari kërkon llogari se pse FRPD, ka nëntë të rinj më shumë në Këshillin Kombëtar dhe pse po i jepet kaq shumë hapësirë të rinjve. Mesa duket, Flamur Noka dhe Arben Imami kanë gjetur përkrahjen e duhur.
“Ftesë Belind Këlliçit për transparencë. Vota është e shenjtë dhe duhet mbrojtur me çdo kusht, ndryshe demokracia nuk mbijeton!! Kuota e pjesëmarrjes të anëtarëve të Forumit Rinor në Këshillin Kombëtar është 15% ose 22 veta.
Duke hequr Belindin që është automatikisht i futur si deputet, ngelen 21 veta. Këtë shifër ma ka konfirmuar vetë Belindi. Nga një analizë e thjeshtë të listës së fituesve, rezulton se në Këshill kanë hyrë gjithsej 30 anëtarë të Forumit Rinor, domethënë 9 mbi kuotë e kërkuar me statut.
Ftoj Belind Këlliçin, që për hir të trasparencës, të lëshoj një deklaratë të noterizuar që vërteton se këta 9 vetë mbi kuotë, janë futur me votë (dhe nëse është votë e lobuar s’ka problem për momentin), dhe nuk janë përzgjedhur nga Belindi vetë për të plotësuar, tejkaluar apo manipuluar zgjedhjet nëpërmjet kuotës që mbrohet me statut të Partisë.
Logjikisht, nëse kemi 9 veta mbi kuotë, kjo do të thotë që të gjithë, pra 30 të rinjtë, janë futur me meritokraci. Kjo trasparencë, është mëse e nevojshme përpara zgjedhjeve të së Premtes, sepse ky është një informacion që duhet ta disponoj çdo anëtar i Kryesisë që ka të drejtë vote nesër. E falënderoj paraprakisht”, ka shkruar Kokalari./m.j