Socialistët po shkojnë drejt zgjedhjes së presidentit në raundin e katërt të mbyllur hermetikisht dhe pa emra publik deri më tani.
Për emrin, ose emrat që do të kalojnë të gjithë procedurat, përfshirë këtu edhe mbështetjen me firma të të paktën 20 deputetëve duhet pritur paraditja e së shtunës, kur kryeministri Edi Rama ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar socialist.
Sa u takon emrave konkretë, nga PS të gjithë heshtin. Megjithatë, burimet pohojnë se lista me 67 kandidatë dhe kandidate që u seleksionuan nga propozimet e grupit parlamentar socialist të 20 prillit është reduktuar në dhjetë emra.
Gjysma e kandidatëve janë njerëz me profil politik, por që përmbushin kushtet që socialistët u kanë vendosur vetes. Pra, nuk janë të angazhuar aktivisht në politikë prej kohësh dhe nuk janë pjesë e grupit parlamentar të partisë.
Gjysma tjetër e kandidatëve janë njerëz që mbërrijnë nga bota akademike, përfshirë këtu të paktën një emër i angazhuar në hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi.
Nisur nga numrat, PS mund të çojë për votim në seancë plenare deri në tre emra. Por, gjasat janë që në seancë të shkojë vetëm një i tillë dhe përzgjedhja të bëhet që në mbledhjen e Kryesisë së Partisë, të thirrur për të premten dhe më pas vuloset paraditen e së shtunës në mbledhjen e grupit parlamentar.
Pse do të shkohet vetëm me një emër? PS synon që ta mbyllë kapitullin e presidentit të ri në raundin e katërt, pa rrezikuar që ta çojë atë në raund të fundit.
Burimet thonë se paraqitja në seancë të dy, ose më shumë kandidaturave mund të krijojë çarje dhe rrjedhje të votave dhe rrjedhimisht asnjëri prej kandidatëve të mos kapë shumicën prej 71 votash që nevojiten për t’u zgjedhur.
Në këtë frymë po diskutohet këto ditë mes socialistëve në parlament dhe në parti për të gjetur emrin përbashkues të grupit, por që gjithsesi fjalën finale për të do ta ketë kryesocialisti Edi Rama./Si/m.j