Data 25 maj është shënuar tashmë si një datë historike për Shqipërinë, e veçanërisht për futbollin shqiptar. Organizimi me sukses i finales së parë të UEFA Conference League, kompeticioni më i ri i UEFA-s që u zhvillua në Tiranë e vendosi Shqipërinë në qendër të Europës e botës, si vendi që priti këtë event madhështor. Çdo gjë shkoi sipas planit dhe organizimi ishte mëse perfekt, duke marrë vlerësimet më të larta edhe nga vetë qeveria e futbollit europian.
Së fundmi, Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin i ka dërguar një letër falenderimi Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, ku i shpreh të gjithë urimet dhe falenderimet për organizimin me sukses të këtij eventi. Kreu i futbollit europian tregon emocionet e asaj nate, teksa shprehet se finalja ishte prova e fundit për Tiranën, si zgjedhja e duhur për këtë event, ndërsa shkruan edhe për veçantitë e qytetit. Presidenti Ceferin falenderon Presidentin Duka veçanërisht dhe të gjithë FSHF-në për energjinë në këtë organizim madhështor!
Letra e plotë e Presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin drejtuar Presidentit të FSHF-së, Armand Duka:
I dashur President, i dashur Armand,
Faleminderit për pritjen e finales së edicionit të parë të UEFA Conference League në Tiranë. Dua të përgëzoj Federatën Shqiptare të Futbollit dhe juve për organizimin me sukses të një eventi kaq prestigjioz dhe sfidues. Nuk do t’i harroj kurrë emocionet e tifozëve kur në fushën e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë zbritën lojtarët e Romës dhe Feyenoord. Një valë kaq unike, elektrizuese e energjisë pozitive që u dha zemër të gjithëve, edhe atyre me më përvojë.
Kjo ishte prova e fundit që Tirana ishte zgjedhja e duhur për këtë rast historik. Një qytet tërheqës kulturalisht, modern, shumë mikpritës për gjithkënd ishte vendi i përsosur për finalen inaguruese të një kompeticioni ndërkombëtar të shumëpritur.
I dashur Armand, më qartë, ju falënderoj për mbështetjen tuaj të pakushtëzuar në muajt përpara turneut. Uroj që ju dhe Federata Shqiptare e Futbollit të ruani të njëjtën energji dhe pasion në të ardhmen. Shpresoj që kjo finale do të jetë një ngjarje historike për Shqipërinë dhe rritjen e futbollit në vendin tuaj.
Sinqerisht,
Aleksander Ceferin
/a.r