Fier | Finalizohet nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Krimet e Rënda në DVP Fier, operacioni policor i koduar “Vazhdimësia”. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore një ngjarje e ndodhur në vitin 1997, në qytetin e Fierit. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Pas rifillimit të çështjes penale, në bashkëpunim dhe me Prokurorinë Fier, strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Fier, pas një pune operative dhe hetimore intensive, kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në datën 24.06.1997, në Fier, ku është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi K. Xh.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e Rapi Muços, autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, e cila i ka vendosur Rapi Muços, 49 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, masën “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
/a.r