Reshat Mati është shqiptari nga Dibra që po pushton botën me talentin e tij. Ekspertët e quajnë një prej boksierëve më të mirë të rinj në botë.
Vëmendje dhe artikuj të ndryshëm i kanë kushtuar mediume të famshme botërore si “The Star”, “LA Times”, “New York Magazine” dhe “CNN”. Jo pak, por gjashtë herë ka fituar kampion bote në kik-boksin amator, duke filluar nga viti 2009 e deri në vitin 2015. Ai në turneun e fundit në Shqipëri e fitoi vendin e parë.
Super talenti shqiptar edhe pse kurrë më parë s’e ka parë qytetin e lindjes të babait të tij, thotë se me Dibrën është mishëruar që në shikim të parë.
“Më pëlqen pejsazhi, atmosfera, dhe çdo gjë në këtë vend më pëlqen. Është hera ime e parë që vij këtu, dua të vij sa më shpesh dhe shpresoj gjatë verës përsëri të jem këtu. Është qyteti im, dua të vij sa më shpesh, por është shumë larg”, thotë ai.
https://www.youtube.com/watch?v=IKnCClhrPEM
Shkurtimisht ai rrëfen edhe për fillimin e karrierës së tij në ringun e boksit.
“Kisha katër vjet e gjysmë kur për herë të parë u regjistrova në ushtrime. Ata thanë që jam i mirë, që jam shumë i talentuar, por unë nuk dija se ç ‘beja. Vetëm dija të godas. Për këtë shkak, shumë fëmijë ishin të frikësuar prej meje”, shprehet boksieri.
Reshati ende nuk do të jetë pjesë e garave Olimpike të vitit të ardhshëm, edhe pse i ka kaluar të gjitha provat testuese, për shkak të moshës së tij të re. Ai thotë se ka ndikuar që shumë të rinj të adhurojnë boksin dhe sportet luftarake, duke iu shmangur rrugëve të këqija.
“Po, kam shumë shok shqiptarë në Nju Jork. Shumica prej tyre adhurojnë boksin, dhe më pyesin në cilën sallë të bëjë ushtrime. Unë ju them të vijnë me mua, dhe bëjmë palestër bashkë. Më parë kishte më shumë nga Rusia, por tani në Nju Jork ka shumë shqiptarë”, thotë ai.
Babai i Reshatit, Adriani tregon se si ka marrë rrugën për në Amerikë dhe me çfarë peripecirash është përballur.
“Unë dola nga Maqedonia në vitin 1989, pasi përfundova ushtrinë. Gjendja ekonomike nuk ishte e mirë, punë nuk kishte dhe si çdo familje tjetër shqiptare m’u dash të largohem. Nuk ishte e lehtë, sepse largohesh në një vend tjetër, pa punë, pa dokumente. Por njeriu bënë gjithçka që të krijojë një jetë më të mirë për familjen e vet”, shprehet babai.
Adriani thotë se vizitat në Dibër do të shpeshtohen sepse, siç thekson ai, Reshati ka nevojë për ta mësoj gjuhën shqipe. Duke ditur që sporti është ambasadori më i mirë i një shteti, sytë dhe zemrat e gjithë shqiptarëve janë kthyer në drejtim të Reshat Matit. Tregimi i tij veçse ka filluar, dhe sipas parashikimeve, ky do të jetë një tregim me përmbajtje botërore.