Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, vlerëson kontributin e Arshi Pipës për përkthimin dhe njohjen e veprës së tij në botë duke lënë pas mosmarrëveshjet e tyre, pasi në shtypin letrar kanë pasur edhe acarime midis tyre.
Kadare ka vendosur të lërë Parisin, ku ka jetuar dhe punuar për dekada, për t’u vendosur në Shqipëri.
Në një intervistë, ai ka folur për rikthimin e tij në Shqipëri dhe mënyrën se si i sheh shqiptarët sot: “Disa herë besoj se jemi më të mirë, disa herë jo. Por koha do ta tregojë”.
Më tej, ai flet gjithçka mbi krijimtarinë e tij të gjerë dhe përkthimet e veprave të tij në shumë gjuhë të botës.
Veprat tuaja janë të përkthyera në rreth 45 gjuhë të botës, një numër rekord i veprave, të cilat shëtisin në gjuhë të ndryshme, por kryesisht në gjuhët e mëdha si, anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja, gjermanishtja dhe italishtja. Dua ta nisim këtë bisedë me një gjuhë të madhe; anglishten. Vepra juaj ka tre përkthyes kryesorë në gjuhën angleze. Çfarë mendoni sot ju z. Kadare për këta përkthyes?
Shumë e vështirë të pyesësh shkrimtarin se, çfarë mendon për përkthyesit. Zakonisht për përkthyesit ka shumë të thëna në formë proverbash. P.sh. që nga ato më të ashprat, që përkthyesi është një tradhtar, që ka një farë të vërtete, pasi vetë fjala përkthyes në gjuhë të ndryshme është ndërtuar në forma të ndryshme, por një nga format më të pranuara në të gjitha gjuhët është ajo, që në njëfarë mënyre e kemi të vështirë t’i japim përgjigje, pasi disa herë na pëlqejnë shumë përkthimet, disa herë nuk na pëlqejnë fare. Por ne nuk kemi të drejtë pasi është vepra jonë. Ne e kemi shkruar veprën për t’u pëlqyer njerëzve, për t’u afruar me njerëzit, për të komunikuar me ta dhe jo për t’u acaruar dhe zemëruar. Më keni bërë një pyetje shumë të vështirë që do t’i përgjigjem në një mënyrë pak a shumë të vështirë. Përkthyesi edhe ju pëlqen shkrimtarëve, por edhe s’ju pëlqen në disa raste. Nuk duhet të habitemi, as për njërën pamje as për tjetrën. Nuk e kam të lehtë të përgjigjem sepse nuk kam pasur ndonjë merak se si e kanë përkthyer. Kam pasur një besim të habitshëm, që ka një shkrimtar te vepra e vet, te gjuha e vet, te misteri i kësaj gjuhe, i cili ndryshon nga kontinenti në kontinent, nga populli në popull, nga kombi në komb, prandaj mund të them se këto tre personalitete kam pasur rastin t’i njoh, t’i takoj, t’i çmoj. Ndoshta ju do t’ju vijë habi për të parin që përmendët prej tyre, Arshi Pipën.
Ai ka përkthyer “Kronikë në gur” në anglisht. Ne jemi të dy shkrimtarë letrarë shqiptarë dhe kemi pasur relacionet tona të zakonshme, siç janë midis shkrimtarëve, herë të mira, herë të mangëta, herë që kanë pasur nevojë të sqarohen e herë që nuk kanë pasur nevojë të sqarohen. Unë kam mendim të mirë për Arshi Pipën, megjithëse kjo mund të tingëllojë pak e habitshme, pasi në shtypin letrar kemi pasur dhe acarime midis nesh, por kjo është e zakonshme, nuk ka asgjë për t’u habitur. Zakonisht njerëzit presin të plasë ndonjë sherr midis shkrimtarëve (hajde ta ndjekim) se sa të shohin nëse është interesante apo nuk është. Arshi Pipa ka bërë një përkthim që është shpërndarë kudo në botë. Falë këtij përkthimi, sikurse falë të gjitha përkthimeve të tjera të shquara, që janë bërë nga gjuha shqipe, vepra ime është e njohur në shumë vende, jo vetëm anglishtfolëse, por në të gjitha vendet e botës.
Keni jetuar për një kohë të gjatë në Francë, në lëvizje midis Shqipërisë dhe Francës. Aty me siguri keni qenë pjesë e disa rretheve letrare dhe ndoshta marrëdhëniet me përkthyesit kanë qenë ndryshe. Si kanë qenë marrëdhëniet e autorit me përkthyesit në një gjuhë kaq të bukur letrare edhe të kulturës, siç është frëngjishtja?
Marrëdhënie normale. Unë nuk kam pasur konflikte me përkthyesit e mi. Kështu që kam qenë i kënaqur që edhe një përkthyes si Arshi Pipa, që në botën letrare kemi pasur polemika, dhe nuk kemi qenë fort dakord me njëri-tjetrin për disa gjera. Nuk kam asnjë pakënaqësi, që ai është marrë me veprën time, aq më tepër urrejtje. Përkundrazi kam pasur një falënderim, që ky njeri i kulturës shqiptare, i shquar i ka kushtuar një pjesë serioze të punës së tij, përkthimit të këtyre veprave. Ju do të prisnit të bëja ndonjë vërejtje për të, ose ndoshta ndonjë… Ju them sinqerisht nuk e kam për arsye mirësjelljeje ose humanizmi abstrakt, përkundrazi kam një mirënjohje që ky zotëri është marrë kaq vite më një nga romanet e mia më të komplikuara dhe më të njohura në botë dhe ia ka dalë në përgjithësi. Nuk di ç’të them për vërejtjet që janë bërë nga njerëz të ndryshëm për motive të ndryshme, për pikënisje të ndryshme, secili mund t’i japë mendimin e vetë. Këtu nuk është puna për të treguar edukatë ose mirësjellje, nuk jemi në një ballo mondane, që të respektojmë dhe të ulim kokën ndaj njëri-tjetrit, na pëlqen apo s’na pëlqen një gjë. Të dy jemi në një fushë të sinqertë, fisnike, me të cilën lexuesit janë dakord me ne; shkrimtarët dhe përkthyesit.
Kur del një vepër e re qoftë edhe në gjuhë të huaj, jeni i pari që e shijoni? Kujt ia besoni kënaqësinë e një botimi të ri?
Unë ia besoj kënaqësinë e një botimi të ri, një fati të ri, i cili mund të jetë i këndshëm, jo fort i këndshëm, i mrekullueshëm apo jo fort i mrekullueshëm. Por sidoqoftë, një gjë e habitshme është kalimi nga një gjuhë te një tjetër. Është një mrekulli e botës sonë, e planetit tokësor, se si ato që shkrimtarët i kanë menduar në thellësi të trurit të tyre befas të shprehen me fjalë të tjera në një gjuhë tjetër, nga një popull tjetër, nga një përfaqësues kulturor i një populli tjetër. Pra të gjitha këto ne na japin ndjenjën e mrekullisë, përpara se të na japin atë të pakënaqësisë apo të grindjeve apo të sherreve, të cilat të themi të drejtën ndonjëherë në Shqipëri i kemi shumë qejf.
Ndoshta është në temperamentin tonë.
Ndoshta më shumë qejf seç duhet, megjithatë dhe ato janë të nevojshme, sepse polemikat, mendimet e ndryshme, “sherret”, janë të pranishme në jetën letrare, kulturore, stilistike, etj.
Bashkëshortja juaj Helena Kadare ju ka shoqëruar herë pas here gjithmonë në çdo vepër, duke bërë redaktoren, duke dhënë një mendim, duke e pasuruar apo pastruar në njëfarë mënyre një vepër për ta sjellë sa më këndshëm. Si ndodh, çfarë ndodh në familjen tuaj kur del një botim i ri apo përkthim në një gjuhë tjetër?
Ndodh diçka që ta përmbledhësh me një fjalë shumë të këndshme. Edhe kur ka telashe është një ngjarje luksoze, ka luks brenda. Është luksi i letërsisë që iu intereson të gjithëve. Të gjithë lexuesit do të donin të dinin se si është procesi i kapërcimit të një vepre nga një gjuhë në tjetrën. Është çështje e të gjithëve. Është misteri ynë i përbashkët. Kënaqësia jonë e përbashkët. Prandaj do të ishte meskine, s’do të kishim të drejtë të fillojmë të acaroheshim për gjëra të tilla, që janë vogëlsira të mjeshtërisë, prandaj dhe unë kam shmangur pothuaj gjithmonë në raste të tilla polemikat, kam shmangur provokimet, kam shmangur veten time për të mos qenë subjektiv, i padrejtë, pasi shkrimtari është një njeri që i kërkohen shumë gjëra dhe midis të tjerave shumë drejtësi. I kërkohet aq drejtësi sa i kërkojnë ndoshta edhe një trupi gjykuesi. Shkrimtari nuk është një gjykues, por një dëshmues i kohës. Ai krijon një vlerë në mënyrat më të ndryshme, të çuditshme dhe të papritura. Unë jam një shkrimtar që krijoj vlera të tilla, të cilat mund të mos jenë aq të mahnitshme, siç më janë dukur në fillim mua ose admiratorëve të mi, por mund të mos jenë dhe aq ngatërrestare dhe aq me mungesa ose të meta, siç u janë dukur disa herë atyre, që ne i quajmë në botën letrare sherraxhinj dhe që nuk mungojnë kurrë. Është shumë bukur. Do të ishte shkretëtirë e madhe në botë, nëse kjo do të mungonte, nëse mendimi botëror do të ndalej nga një kufi në tjetrin dhe nuk do të ecte më tutje.
Numërohen rreth 10 mijë e 301 botime në dijeninë time dhe aq sa unë kam kërkuar. Si ndihet një autor i përmasave të tilla. Si ndiheni ju, çfarë jete keni bërë duke qenë z. Ismail Kadare?
Duke qenë z. Ismail Kadare unë kam qenë njëkohësisht edhe shoku Kadare, kolegu Kadare dhe kam gëzuar të mirat, privilegjet, gjërat e bukura që të jep kjo njohje, por jam shqetësuar gjithashtu disa herë edhe nga të këqijat që të jep fama, sepse të jep edhe të mira edhe të këqija. Ne shkrimtarët që pretendojmë të shpërndajmë librat tona në gjithë botën, jemi mësuar që të dëgjojmë lavdërime, por edhe vërejtje me të cilat jemi dakord ose nuk jemi dakord, por për të cilat në fund të fundit nuk kemi ndonjë detyrim përpara lexuesit. Nuk kemi ndonjë kontratë me të, që të kënaqim disa kërkesa të tij ose të mos kënaqim disa kërkesa të tij, prandaj shkrimtari nga kjo anë është dhe i lumtur, edhe i palumtur. Ai është i lumtur që këta miliona lexues siç thatë ju kërkojnë të lexojnë veprën e vetë, dhe do të ketë edhe telashe apo keqkuptime të çuditshme gjuhësore, psiqike që sjell kjo njohje.
Kam lexuar një ese punim tuajin, ku e konsideroni artin si mëkat. A është arti mëkat? Thoni se arti lind tek ata që nuk e kanë pasur në shtëpinë e tyre, tek ata fëmijë të cilët e kanë pasur artin dhe janë rritur në një ambient familjar me të dhe nga ana tjetër edhe artin e shihni si mëkat. Në jetën tuaj artin sot e konsideroni mëkat?
Këto janë disa teza të çuditshme që lindin në botë, përdora fjalën e çuditshme pasi ashtu janë vërtetë. Fjala e çuditshme hyn zakonisht te të gjitha fjalët që janë edhe të bukura edhe misterioze, dhe të kuptueshme, por edhe të pakuptueshme deri në fund. Prandaj unë do ta pranoja këtë fjalë me kënaqësi po të përdorej për veprën time, qoftë për mirë, qoftë me rezerva, për keq, sepse arti është një gjë subjektive, një gjë që lind në brendësinë e njeriut dhe zhvillohet përtej njeriut, por nga rrënjët më të thella të tij, prandaj nuk ka asnjë gjë të keqe që për artin të kemi të gjithë mendime të ndryshme, të çuditshme do të thoja, sepse kështu e do lexuesi botëror, kështu e kërkon ky thesar.
E mendoni ju lexuesin teksa shkruani një vepër të caktuar. E keni menduar shpesh lexuesin se çfarë do të thotë për këtë, çfarë mendon lexuesi për “Kronikë në gur” gjatë procesit të të shkruarit. E mendoni lexuesin?
Disa herë po, disa herë jo. Shumë herë po, shumë herë jo. S’mund ta them kurrsesi sa herë e mendoj dhe sa herë e harroj. Kjo është fatmirësia dhe fati i letërsisë, që ajo krijohet disa herë jashtë merakut për lexuesin. Ti ke një ndjesi se po shmang diçka me vlerë, diçka të habitshme e cila vetvetiu i pëlqen lexuesit.
Çfarë veprash lexon Kadare sot?
Sot Kadare lexon gjithçka që mund të lexojë një lexues, gjithkund në çdo popull, në çdo vend.
Dhe cila është ajo vepër, ose cilat janë ato vepra që kanë shënjuar një pikë kthese në krijimtarinë tuaj, apo ju kanë frymëzuar apo ju kanë mbushur për të shkruar?
Këtë e kam të pamundur ta them.
Janë shumë?
Janë shumë dhe janë kudo, në çdo gjuhë, në çdo komb, në çdo popull. Edhe është lumturi për ne që janë shumë. S’ka pse bëhemi merak që vëmendja e lexuesve iku nga vepra jonë, për të shkuar te vepra e një tjetri. Gjithë thesari gjuhësor është i përbashkët botëror.
Çfarë muzike dëgjon z. Kadare?
Unë dëgjoj muzikë të ndryshme, të papërcaktueshme. Kur them kështu disa herë p.sh. letërsia është një art që ka lidhje me gjërat më të ndritura të njerëzimit, por edhe gjërat më të errëta të njerëzimit, d.m.th vetë përdora dy fjalë që kanë burime nga drita, që është drita diellore dhe të errëta që është gjëja më e errët në botë që është vdekja. Letërsia nuk trembet nga asnjëra. Ajo i manovron të dyja, i shfrytëzon të dyja. Bashkohen të dyja dhe letërsia duhet të ndihet e lumtur që ka të bëjë me të dyja.
Ne folëm për librat që përkthehen në gjuhë të ndryshme, por letërsia përkthehet shpeshherë në film, në kinematografi.
Kjo është një pyetje shumë e ndërlikuar.
A e humb veçantinë vepra?
Nuk dihet fare, mundet që të humbë diçka, të humbë shumë, të humbë në mënyrë të pakthyeshme, të humbë në mënyrë që nuk pëson asgjë. Letërsia kështu është krijuar, ajo duron çdo gjë.
Keni pasur ndonjëherë frikë se, mos e humbni letërsinë?
Pothuaj se jo. Shkrimtari është i lumtur të pranojë se vepra e tij e krijon këtë mister. Me fjalën art përdoret shpesh diftongu i pavdekshëm, dhe arti nga kjo anë është i pavdekshëm. Arti nuk pyet nga koha dhe ai lufton me gjënë më të vështirë në botë që është koha. Ai jeton!
Keni vendosur që të jetoni në Shqipëri, por ndërkohë keni pasur edhe lëvizjet tuaja, në Francë edhe në vendin tonë. Si e mbani mend Shqipërinë e atyre kohëve dhe të sotme. A jemi ne më të rritur, më të mirë, me mendje më të pasur sot?
Nuk di ç’të them. Disa herë besoj se jemi, disa herë jo. Por koha do ta tregojë të vërtetën.
Ju pse zgjodhët që të ktheheni përfundimisht në Shqipëri?
Nuk ka qenë një zgjedhje aty për aty. Ka qenë një zgjedhje e ngadaltë, e padallueshme mirë, me mjegull. Kështu ka qëlluar. Më është dukur se, për çdo rast, për raste pozitive apo negative të jetës, për raste të lumtura ose të dëshpëruara të jetës në të gjitha rastet më është dukur se, unë do isha i përshtatshëm në këtë formë që jam.
Më vjen mirë që e dëgjoj këtë, më vjen shumë mirë që ju kemi këtu dhe që mundëm të realizonim një intervistë kaq të bukur, një bisedë që unë do ta mbaj mend gjatë edhe që për mua është një kënaqësi dhe privilegj shumë i madh të ndaja mendime mbi artin, mbi letërsinë, me ju zoti Kadare. Faleminderit shumë!
Ju falënderoj për këto fjalë. Kur ju më thatë gjithë këto fjalë të bukura, që më shihni e që më dëgjoni, besoni, më kuptoni, s’më kuptoni etj., mua dhjetëfish më vjen më tepër mirë që kam mundësi që herë pas here diçka t’ju transmetoj lexuesve të mi, qofshin ata të moshave të ndryshme dhe pamjeve të ndryshme.
Kohët e fundit e keni bërë shpesh me të rinjtë.
Po si duket po më pëlqen rinia gjithmonë dhe më tepër (qesh). Më pëlqen. Është koha vetë që letërsia problemin më kryesor ka kohën e jetesës së saj.
E ndjeni ju që ju duan shumë?
Po e ndjej dhe mendoj që çdo shkrimtar e ndjen të vërtetën e asaj sa e duan njerëzit dhe sa nuk e duan.
Po shkruani aktualisht apo po lexoni?
Po bëj diçka të midistë dhe ndonjëherë në letërsi është e vështirë të dallosh ç’je duke shkruar dhe ç’je duke kryer e përkryer. Unë jam në këtë tramvaj, në këtë punë.
Pra mund të presim një vepër tjetër nga ju?
Nga unë mund të prisni çdo gjë, mirë ose keq (qesh)./m.j
Intervista është realizuar nga gazetarja Luela Myftari për A2CNN.