Komisioni parlamentar i Sigurisë diskuton draftin e qeverisë për sigurinë publike, i cili ndër të tjera parashikon vendosjen e kamerave nga një sërë subjektesh. I pranishëm në komision, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri tha se siguria nuk është vetëm përgjegjësi e policisë.
“Eshtë një ligj i domosdoshëm dhe i vonuar. Disa subjekte do detyrohen të vendosin kamera. Ligji, ka detyrim për kamera por dhe polici private.”- tha Tahiri.
Por deputeti i PD, Asllan Dogjani në replikë të argumentit të Tahirit tha se projekligji po bëhet që të përfitojë dikush, dhe se shumë masa që parashikohen në draft janë të panevoshme. Dogjani i rikujtoi Ministrit Tahiri një sërë ngjarjesh ende të pazbardhura nga hetimet, duke shtuar se pavarësisht se ato u regjistruan nëpër kamera, nuk janë gjendur ende fajtorët.
“Masat shtesë nuk janë të nevojshme. Ministri thotë kemi më pak vrasje, pse duhen kamera. Vrasja e Santos dhe rrëmbimi i Stafukës u regjistruan, por nuk janë zbuluar. Dyshoj se po bëhet për të përfituar dikush.”- u shpreh Dogjani.
Sipas deputetit demokrat Flamur Noka, Shqipëria sot është një vend horror, përsa i përket sigurisë.
“Ministri mburret se këtu është parajsa. Shqipëria është mbërthyer nga krimi. Parandalimi i krimit është në nivelin zero.”- deklaroi Noka.
Pas diskutimeve Komisioni Sigurise ka votuar pro ne parim projektligjin vetem me votat e deputeteve te maxhorances.
Ky pr/ligj, parashikon vendosjen e kamerave të sigurisë në institucione publike, subjekte private dhe parqe të cilat frekuentohen nga një dendësi e lartë qytetarësh. Drafti në fjalë parashikon gjoba për subjektet që refuzojnë të vendosin kamerat e sigurisë. Gjithashtu drafti parashikon dhe numrin minimal të klientëve që detyron një subjekt të vendosi kamera sigurie.