Ne një sallë gjykatë që duket se sapo ka hapur serialin e të penduarve të SPAK-ut, Euglen Halili rrethohet nga policë të maskuar që e mbulojnë me trup.
Detyra e tyre është t’i garantojnë moment pas momenti jo vetëm jetën, por edhe që fytyra e tij të mos shfaqet askund. Pasi u zbulua nga një gjurme AND-je, Halili i tregoi SPAK-ut se si u përfshi në vrasjet e Emiliano Ramazanit dhe të Regis Runajt të kerkuara nga i arrestuari Erjon Alibeaj, të cilit më herët i ishte vrarë i vëllai,informon Top Channel.
I riu nga Gjinari thotë se u pajtua nën ndërmjetësimin e të akuzuarit Xhuliano Hoxha me premtimin se do të fitonte shumë para, ndaj dhe ai nisi gjurmimin e viktimave. Për Ramazanin, ai e ndoqi ditë mbas dite dhe e priti kur viktima bënte palestër, kurse per Runajt ishte marrë porosia që ai të qëllohej brutalisht me thikë siç edhe u masakrua.
Duke ndjekur gjurmët e italianëve që nisën goditjen e organizatave mafioze përmes rrëfimeve të të penduarve, sot në Shqipëri numërohen 12 të penduar që kanë deklaruar krime nga më monstruozet, porosi droge dhe eliminime grupesh. Por ndërkohë, ndonëse po përpiqet SPAK nuk po ia del të bëjë të penduar persona të lidhur me të korruptuar të nivelit të lartë , pavarësisht aksioneve në fushën e tenderave dhe koncensioneve.
Duke nisur nga të penduar si Aurel Lazaj që dërgoi në burg kapo të droges, Ervis Bardhi që foli për grupin e Çapajve, Ernejt Shyti që rrëfeu vrasjen e Behar Sofisë apo Luftar Reçi, lista e të mbrojturve nga shteti pas fjalës së tyre është e gjatë, mbasi aty përfshihen edhe të afërmit e tyre. Të tjerë në burg si Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj po zbërthejnë çështje të krimit të organizuar nga jugu në veri, ashtu si dhe një i dënuar tjetër që siç mëson Top Channel, u është dorëzuar ftesa për pendesë dhe rrëfim mbi dy krimet më të bujshme në Shqipëri.
Dy prokurorët e SPAK kanë larguar familjet drejt Italisë të pesë të penduarve që gjenden në Itali dhe që zbërthyen çështje të kultivimit të drogës.
Bëhet me dije se janë larguar për t’u mbrojtur jashtë Shqiperise, të afërm të të penduarve Ferhat Ajdini, Fiqiret Seferi, Donial Drolli, Mariglen Shusha dhe Elton Hamza./m.j