Nga Ben Andoni
Verdikti personal i Lulzim Bashës ndaj liderit të PD-së, z.Berisha, ish-kryetar nga delfini i tij për ta larguar nga grupi parlamentar i PD-së, solli një turbulencë dhe tollovi në gjirin e kësaj partie, që nuk arriti ta përcillte asnjë aksion i mëparshëm i Bluve ndaj qeverisjes së Ramës. Aksioni i “Foltores” më pas dhe e gjithë ajo që drejtoi Sali Berisha do t’ia kishte zili çdo njeri te PD-ja, i vjetër dhe i ri. Paçka paqartësive të Berishës, një turmë e tërë po aq e paqartë dhe shumë pa sens u mundua ta justifikonte shpalljen non-grata të liderit historik dhe dora dorës tregoi se miti amerikan te kjo forcë është thjesht një fasadë. Jo se është shumë ndryshe, në fakt, tek Partia Socialiste porse të paktën për momentin pasardhësit e të Majtëve të dikurshëm i gjetën telat më normal me “Rrugën e Elbasanit”.
Lulzim Basha si njeriu që iu desh të mbijetonte pas tre humbjeve rresht, madje edhe duke manipuluar (deri njerëzit e Foltores që bashkëpunuan me të dhe që e shitën ia përmendën me krenari!!!), iu desh të theksonte këtë vokacion të ri euro-atlantik, me përzënien e Berishës, paçka se njerëzit e vet e akuzojnë tashmë se edhe ai ka probleme. Megjithatë marrëdhënia e tij e mirë me zyrtarët e niveleve të ulëta të Departamentit, ashtu si edhe deklaratat e vazhdueshme të ambasadores amerikane e trimëruan. Harroi akuzën për të ashtuquajturën “masakrën zgjedhore” të votimeve të vitit 2021 dhe u bë vërtetë lajm kur e largoi Berishën me shumë “butësi”, edhe pse pak më vonë arriti ta anatemonte ashpër duke treguar hipokrizinë që e rrethon PD-në por edhe politikën tonë në përgjithësi. Ky ishte zhgënjimi më i madh te militantët e PD-së për njeriun, që skarcitoi pa mëshirë prej të ndjerit Olldashi, Eduart Selami dhe të tjerët. Aman, ky ishte edhe momenti kur njerëzit për herë të parë besuan, tek ai që mund t’i besonin më pak por edhe njeriut që doli nga xhepi i Berishës.
Jemi pak muaj më vonë dhe PD-ja është riformatuar krejt. Hapi i fundit i legalizimit të Berishës është pritja e njohjes nga Gjykata e procesit të Rithemelimit, pas ankimimit të kryetarit në detyrë të PD-së. Alibeajt, që po i rrëshqet e gjitha nën këmbë prej turrit të grupit të Foltores, e që me një zë i thonë se: Berisha vetëm Berisha dhe bëjnë artikulime dhe ushtrime gjuhësore nga më të pabesueshmet të konfirmojnë se non-grata është një stad që nuk ka aq rëndësi dhe se do të zgjidhet me kalimin e kohës. Ai që i njeh më mirë situatat në PD, e di se ata në asht besojnë se: Berishën po e përdorin, kuptohet nëse ai vetë nuk e kuptuar këtë dhe ka marrë masat para tyre tek yes-men e tij, si një lojtar i spikatur i moçalit politik shqiptar. Dhe, në këtë moçal, ai i ka futur të gjithë, pa ditur se të sapo nominuarit do të jenë ata që do t’i vënë dërrmën pa kthim kryetarit historik. Këtu të çon logjika por më shumë se çdo gjë karriera e tyre, që nga kinse mëtuesit për kryetar të PD-së, u provuan se ishin zgjatime apo të tjerët që e mbështetën për kauzën ideologjike krejt konfuze Berishën apo turma e tërë e të pakënaqurve e shmangur nga Basha. Dhe, njerëz që bëjnë akrobaci, apo ata që e mbrojtën jashtë do principi thjesht kundër Bashës (ky paradoksalisht u largua vetë), janë të aftë të bëjnë çdo gjë. Bash, si ajo e njerëzve të “Foltores” që u bashkuan në një farë mënyre me të Majtët, thjesht në mënyrë që të mos plotësohej kuorumi prej 84 deputetësh që duhej për t’u ligjëruar raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit. Në këtë grup ardhur nga Foltorja nuk quhen parimet por ka thjesht interes dhe marrje të aseteve të PD-së, që në të ardhmen e afërt do t’i kushtojë shumë vetë Berishës. Tek e fundit, ai ia zuri frymën “Foltores” me Unin e vet të padiskutueshëm, por mbi të gjitha humbjen e modestisë, që u përkrah nga të gjithë njerëzit e Kryesisë të sapozgjedhur. “Një lider është vërtetë më i miri kur njerëzit mezi e kuptojnë se ai ekziston, kur puna e tij të jetë kryer ashtu si duhet, kur qëllimi i tij përmbushet, e njerëzit arrijnë të thonë: ne e bëmë vetë”, shprehej dikur Lao Tzu, mendimtari i madh i situatave. Në fakt, të sapo fituarit në Kryesi nuk bënë asgjë vetë, të gjithë e dinë se çdo gjë e bëri Berisha, njeriu që e ngriti PD-në dhe që do të përmbyset përfundimisht nga po këta njerëzit e vet, që këto javë treguan se nuk njohin asnjë skrupull. Dhe, Basha i shtatorit 2021 do duket engjëll para atyre që do t’i bëjnë njerëzit e tanishëm të PD-së, pakëz sa t’u jepet mundësia. (Javanews)