Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ka bërë një reagim pas vdekjes së 18-vjeçares Sidorela e Kola pasi ra në kontakt me rrymën elektrike. Në një postim në faqen zyrtare të Universitetit në Facebook thuhet se Sidorela ishte një studente e shkëlqyer.
Ndarja e të resë nga jeta ka tronditur shokët, pedagogët dhe komunitetin universitar.
Universiteti “Aleksandër Moisiu”:
“Me hidhërim të thellë morëm vesh lajmin e ndarjes nga jeta të studentes sonë të shkëlqyer Sidorela Kola, motrës dhe nënës së saj. Kjo tragjedi e madhe ka tronditur shokët, pedagogët, mbarë komunitetin tonë universitar. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kola dhe miqtë.
Falenderoj Fakultetin e Biznesit për homazhet që po zhvillojnë për Sidorelën dhe iu bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen nismës së tyre për mbledhjen e kontributeve për familjen Kola.
Prof. Dr. Kseanela Sotirofski Rektor”
Kujtojmë se bashkë me Sidorelën humbën jetën edhe nëna Prendushe dhe motra Emiljana, 15 vjeçe pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike.
Lajmi ka tronditur opinionin publik, sidomos qytetarët e Fushë Arrëzit që një pjesë e tyre i njihnin viktimat. Ngjarja bëhet edhe më tragjike, pasi të treja raportohet se kanë gjetur vdekjen në tentativë për të shpëtuar njëra tjetrën.
Një nga vajzat mësohet se po lahej në dush dhe dyshohet se ra në kontakt me rrymën. Për ta shpëtuar shkoi e motra e pas saj shkoi edhe e ëma, por që fatkeqësisht ndërruan jetë të treja. Dy djemtë e familjes Kola që janë gjallë, 12 dhe 17 vjeç, do të duhet të vuajnë tragjedinë e përmasave të mëdha që goditi familjen./m.j