Qeveria amerikane duket se shumë shpejt do të dërgojë një sistem shumë-raketor me rreze të gjatë në Ukrainë. Rusia nga ana tjetër, i ka parë këto dërgesa si veprime që mund të sjellin përshkallëzim të situatës.
Presidenti Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë kërkuar shpërndarjen e MLRS për t’iu kundërpërgjigjur bombardimeve të Rusisë në rajonin lindor të Donbasit. Ndërkohë, Rusia vijon të godasë Severodonetsk-un dhe pjesë të tjera të Donbasit me raketa, tanke dhe sulme ajrore.
Forcat e Kievit tashmë po përdorin M777 të dorëzuara nga SHBA, me anë të të cilave mbulohet një distancë prej rreth 25 km. Por MLRS do t’i lejonte Ukrainës të arrinte objektiva shumë më larg se kaq.
Një sistem lëshues M270 MLRS mund të gjuajë një sërë municionesh, ndërsa më të avancuarit mund të godasin objektiva deri në 300 km larg. Megjithatë, ai gjithashtu mund të lëshojë raketa me rreze më të shkurtër veprimi prej rreth 70 km.
Kufizimi i Ukrainës në raketa më të vogla mund të jetë një mënyrë për SHBA-në që të shmangë përshkallëzimin e konfliktit, duke përmirësuar ende ndjeshëm arsenalin e Ukrainës. Një zyrtar i lartë amerikan i cituar nga Uashington Post tha se Shtëpia e Bardhë ishte e kënaqur që do të dërgonte në Ukrainë MLRS, por do të ndalonte armët me rreze më të gjatë të përputhshme me sistemin.
Ka shqetësime se Ukraina mund të përdorë sistemin për të goditur objektivat brenda Rusisë dhe një veprim i tillë do të rrezikonte përfshirjen e SHBA-ve dhe aleatëve të saj të NATO-s në konflikt të drejtpërdrejtë me Moskën.
MLRS ka në zotërim edhe Mbretëria e Bashkuar. Kryeministri Boris Johnson tha se Ukraina duhet t’i marrë raketat për të “mbrojtur veten kundër kësaj artilerie shumë brutale ruse”, por nuk përmendi që Britania do ishte ajo që do ta furnizonte.
Kujtojmë se SHBA përdori MLRS për të shkatërruar objektivat kryesore të Irakut në Luftën e Gjirit 1990-91 dhe në 2003.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka akuzuar Perëndimin se po “pompon me armë nacionalistët ukrainas”. Javën e kaluar, një prezantues në televizionin shtetëror rus tha se SHBA po kalon “vijën e kuqe” duke dërguar MLRS në Ukrainë dhe kjo do të shihej si përpjekje për të “provokuar një përgjigje shumë të ashpër nga Rusia”.
Në një lëvizje shtesë për të mbrojtur portin kryesor të Ukrainës në Detin e Zi, Odesa, Danimarka ka furnizuar vendin me raketa anti-anije Harpoon, me një rreze prej rreth 130 km. Ukraina mund t’i vendosë ato së bashku me raketat e saj Neptun, të cilat thuhet se fundosën anijen “Moska” muajin e kaluar.
Raketat ruse me rreze të gjatë kanë goditur objektet në hekurudhë, depot e naftës dhe infrastrukturën tjetër në Ukrainën perëndimore, përpjekje këto të para si mënyrë për të penguar dërgesat e armëve perëndimore.
Ndërkohë, Rusia raportohet se ka përdorur sistemin e saj të fundit me shumë raketa kundër objektivave ukrainas në zonën e Kharkiv-it, një armë e përshkruar si një flakëhedhëse gjigante. Përdorimi i tij u raportua nga agjencia e lajmeve Tass, duke cituar një zyrtar rus të sigurisë.
TOS-2 Tosochka është një armë termobarike dhe krijon një shpërthim masiv duke ndezur një re gazi në goditje dhe duke privuar këdo në zonë nga oksigjeni. Rusia gjithashtu ka shkaktuar dëme të mëdha në qytetet ukrainase duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi, disa të qëlluara që nga anije luftarake. /abcnews