Ushtria ukrainase thotë se ka filluar një kundërofensivë kundër forcave ruse në jug dhe ka pretenduar përparime të konsiderueshme në drejtim të Khersonit.
Serhii Hlan, një deputet i cili është pjesë e këshillit të rajonit Kherson, tha të shtunën se forcat ukrainase “vazhduan operacionet sulmuese dhe e shtynë armikun 9 kilometra (5 milje) prapa në distriktin Beryslav”.
Hlan pohoi gjithashtu se njësitë ukrainase “thyen grupimin e armikut në dy pjesë dhe në fakt rrethuan grupimin armik në Davidiv Brid”.
Davidiv Brid ka qenë në vijën e frontit për javë të tëra dhe u bë një rrugë shpëtimi për civilët që përpiqeshin të largoheshin nga Kherson, shpesh nën zjarr.
Ushtria ukrainase publikoi video të sulmeve të artilerisë, supozohet kundër pozicioneve ruse. Ai tha në Facebook se “lufta e artilerisë vazhdon”.
“Ushtarët ukrainas ndjekin dhe djegin pajisjet e pushtuesve në tokat e rajoneve Kherson dhe Mykolaiv,” tha ai. “Kherson duroni, jemi afër!”
Nuk ka asnjë dëshmi të pavarur për përparimet e Ukrainës.
Hlan tha se tani “është e pamundur të largohesh nga rajoni Kherson”, pasi daljet po bllokohen nga forcat ruse.
Forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qytetet dhe fshatrat e Ukrainës në rajonin e Mykolaiv, sipas zyrtarëve ukrainas. Ata thanë se kishte pasur sulme kundër disa komuniteteve, por nuk raportuan të lënduar. Qyteti i Bereznehuvate ishte goditur më rëndë, thanë ata.
Një kontekst mbi luftimet në Ukrainën jugore: Rusia duket se konsolidon arritjet e saj atje dhe sulmon më tej në vende si Mykolaiv, i cili është afër vijës së frontit, por mbetet nën kontrollin e Ukrainës.
Instituti për Studimin e Luftës, një institut kërkimor me bazë në SHBA, vlerësoi se forcat ruse kanë “vazhduar të forcojnë dhe pajisin pozicionet e tyre në të gjithë Ukrainën jugore në një përpjekje për të mbajtur kontrollin e përhershëm mbi territorin”./m.j