Në një përpjekje për të parandaluar kalimin e migrantëve të nisur në këmbë, qeveria greke dëshiron të mbyllë plotësisht kufirin me Turqinë në veri-lindje të vendit.
“35 kilometrat e gardhit kufitar ekzistues do të zgjerohen me 80 kilometra”, deklaroi sot ministri i Migracionit Notis Mitarakis për radiostacionin “Skai”.
Njoftimi vjen mes tensioneve të forta midis Athinës dhe Ankarasë.
Dy anëtarët e NATO-s janë në mosmarrëveshje për gazin natyror, territoret dhe shumë çështje të tjera.
Së fundmi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis nuk ekziston më për të, duke i prerë kështu fillin e bisedimeve.
Athina ka frikë se Erdogan mund t’i përdorë përsëri migrantët si një mjet presioni, siç bëri në vitin 2020 kur deklaroi të hapur kufirin me Greqinë në lumin Evros, i njohur gjithashtu si Meriç, në Turqi dhe Maritsa në Bullgari ku mijëra banorë morën rrugën për atje.
/a.r