Në rubrikën “Opinion” në Neës24, i ftuar ka qenë akademiku Artan Fuga, i cili ka diskutuar në lidhje me gjendjen brenda partisë Demokratike, opozitës dhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Fuga ka analizuar dy karakteristikat që ka opozita e ndarë, ndërsa ka shtuar se nuk është dakord me vendimin e kreut të PD, Sali Berisha, që të bojkotojë zgjedhjen e presidentit, në një kohë kur kritikoi paraardhësin e tij për vendimin e bojkotit të zgjedhjeve dhe mandateve.
“Ajo që vë re është se ka një ndarje të asaj që quhet opozitë në më shumë se tre pozicione. Për presidentin është shumë e ndarë dhe tregon gjithë krizën në të cilët ndodhet mendimi dhe veprimi opozitar politik. LSI nuk ndihet për presidentin. Cilat janë arsyet, duhet të merren me mend por nuk ka arsye të shprehura. Partitë e vogla opozitare si ajo Agrare apo Republikane që në një farë mënyrë dalin me një propozim që ndryshon nga ai i grupit të ish-PD që drejton Alibeaj dhe që propozojnë si kandidaturë një person konkret.
Kemi grupin që nuk përbën një grup pasi herë marrin një pozicion herë një tjetër që nuk shprehet mbi këtë çështje, kemi deputetët e ish PD, pasi nuk kanë më një parti tani grupi i Alibeaj të cilët brenda vetes janë të ndarë pasi për të propozuar kandidaturat si proces nuk eci dhe tani ka mes tyre hezitim.
Kemi edhe Rithemelimin qe e ka braktisur këtë problem.
Opozitën sot e kemi kashtë e koqe.
Mendoj që opozita dëshiron t’ia lërë Ramës ta zgjedhe presidentin dhe nuk do të thosha grupi i Alibeajt por i Alibisë. Opozita është në një lloj alibie pasi nuk di ç’kuptim ka që në një anë thotë që marrëveshja me Ballën nuk u respektua, Balla thotë që nuk kemi marrëveshje dhe ajo duhet të ishte e shkruar jo gojarisht, sepse nuk jemi një shoqëri barbare. Edhe thonë që u prish edhe thonë që pas raundit të 3, i 4 dhe i 5 që zgjidhet me votat që i ka PS, ne nuk japim kandidaturës. Përse e konsiderojnë raundin e 3 si mundësi kur kandidaturën mund ta shprehin, i kanë mundësitë. Pse opozita kërkon konsensusin patjetër.
Nuk jam dakord me mendimin e Berishës që dënon bojkotin, kur Basha braktisi zgjedhjet dhe mandatet, dhe ndërkohë braktis luftën politike për kreun e shtetit. Nuk është puna vetëm të zgjedhësh njeriun sepse Berisha nuk i ka votat për të ndikuar në këtë çështje. Nuk është vetëm kaq, mund të diskutohet për procedurat, mund t’i kthehet opozita platformave të ushtrimit të detyrave të presidencës, pra e ka reduktuar në çështje e një njeriu. nuk është kjo mënyra e të bërit politikë sipas meje.
Opozita ndodhet në një luftë të brendshme. Fatkeqësisht për shoqërinë shqiptare, dhe për Shqipërinë, do jetë në këtë gjendje luhatjeje për një periudhë relativisht të gjatë.
Brenda parlamentit sa nuk ka zgjedhje për parlamentin do jetë në këtë situatë. çdo ndodhë për 2 3 vitesh është një pikëpyetje e madhe. Nuk shoh zgjedhje të parakohshme në horizont.
Dy karakteristikat e krizës së opozitës:
1-Rivaliteti, mishmashi brenda franksioneve të opozitës ku ka një kaos zërash, pozicionesh përpjekje për të ngrënë njeri tjetrin për të treguar disfatat e njëri-tjetrit.
2- Nga ana tjetër, brenda opozitës ka një supozim por edhe elemente të vërteta ku secila palë konsideron që më e rëndësishme është luftojë pjesën tjetër të opozitës se të bëjë oponencë me qeverinë.
Brenda opozitës për këto dy arsye ka një lloj braktisjeje. Po ta marrim nga ana procedurale për katër kandidaturat, mund të shkonin në variante të tjera. Opozita ka edhe një arsye tjetër se brenda opozitës nuk ka një dakortësi në emrin e një kandidati të duhur. Nuk bien dakord për të krijuar edhe një grup të 20 deputetësh. Aq më tepër që është në linjë edhe loja e legjitimitetit. Alibeaj mund të sigurojë 20 firmat por nuk ka legjitimitetin, ata që kanë legjitimitetin ndoshta nuk plotësojnë 20 firmat.
Opozita as nuk do as nuk mundet as nuk e gjykon si të domosdoshme dhe thonë pse të angazhohemi për një kandidat që nesër do mbajë një qendrim e që do na thonë ju e zgjodhët”, është shprehur Fuga./m.j